140 të zgjedhurit nga gara e 23 qershorit do të mblidhen ne seancën e parë parlamentare në orën 18:00 të së hënës.

Nën interes të lartë të vëmendjes së opinionit publik, medias dhe prezencës së të gjithë trupës diplomatike të akredituar në Tiranë, parlamentarët do të hyjnë në seancën, që jo vetëm çel sezonin kuvendor të vjeshtës, por shënon edhe ndërrimin e pushteteve në reflektim të votes së 23 qershorit.

Është përcaktuar tashmë që, pas ekzekutimit të himnit kombëtar, kjo seancë të drejtohet nga deputeti socialist Namik Dokle, si më i vjetri pas Sali Berishës, të cilit për shkak të moshës i takonte me rregullore të drejtonte seancën, por që hoqi dorë vullnetarisht.

Dokle pritet të urojë të zgjedhurit nga gara e 23 qershorit dhe do të hapë proçedurën për ngritjen e komisionit të përkohshëm të verifikimit të mandateve, i cili verifikon përputhshmërinë me kërkesat ligjore të çdo emri në Parlamentin e ri.

Afati maksimal ligjor për këtë proçedurë është 48 orë, por nga praktikat e mëparshme këtij komisioni i janë dashur më pak se 24 orë për hartimin e raportit për verifikimin e mandateve.

Nëse përsëritet praktika e 2009-s, Kuvendi, që mbetet i thirrur në seancë, vijon punimet të martën paradite, ku pritet të bëhet betimi i të zgjedhurve, që vetëm pas këtij momenti do të jenë zyrtarisht deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Kjo i hap rrugën një sërë procedurave të tjera. Zgjedhja e kryetarit të ri të Parlamentit me votën e deputetëve, i përcaktuar tashmë nga mazhoranca e re, Ilir Meta, bëhet menjëherë pas betimit të deputetëve, e më tej zgjedhja e nënkryetarëve.

Seanca parlamentare e pasdites së të hënës pritet të paraprihet nga dorëheqja e kryeministrit në detyrë, Sali Berisha, dhe ministrave të kabinetit qeveritar, dorëheqje që i çohet në tryezë Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Fillimi i legjislaturës së re dhe dorëheqja e kabinetit në detyrë i jep të drejtë Partisë Socialiste, si udhëheqëse e koalicionit fitues të zgjedhjeve, të nisë në adresë të Presidentit emrin e Edi Ramës, për postin e kryeministrit të ri të vendit, proçedurë që ka të gjitha gjasat të bëhet të martën, kur brenda ditës pritet edhe emërimi i kreut socialist në krye të ekzekutivit.

Nishani i kërkon Ramës emrat e kabinetit të ri qeveritar dhe për verifikimin e çdo emri të propozuar për ministër, kushtetuta i ka lënë Presidentit 7 ditë afat maksimal.

Por, në ndjekje të traditës së mëhershme, ku nuk është shfrytëzuar e gjithë koha ligjore e Presidencës, dekretet e kryetarit të shtetit, për çdo emër në kabinetin e ri qeveritar, mund të dorëzohen në Kuvend përpara së enjtes, kur edhe mblidhet seanca e radhës.

Nëse Presidenti i dekreton shpejt ministrat e propozuar, qeveria Rama dhe programi qeverisës votohen në Parlament brenda kësaj jave dhe këtë të enjte vendi do të ketë në detyrë qeverinë e re.

Top Channel