Protesta të reja në Tunizi

08/09/2013 17:40

Tunizia, pikënisja e pranverës arabe, përballet me protesta të reja, shprehje e pakënaqësisë me qeverinë e vendit të drejtuar nga islamikët.

Në kryeqytetin Tuniz, dhjetra mijëra vetë marshuan me thirrjen për dorëheqjen e ekzekutivit. Tubimi u mbajt në fundin e zisë 40-ditore për vrasjen e ligjvënësit të opozitës, Mohamed Brahmi.

Ekzekutimi i Brahmi dhe një politikani tjetër të njohur të majtë përpara tij ishin shkëndijat e protestave masive, që vendi ka përjetuar prej disa kohësh.

Bisedimet mes opozitës dhe partisë në pushtet, Enahda, nuk kanë shënuar ndonjë përparim të qenësishëm deri më tani.

Qeveria e moderuar islamike fajëson salafitët e vijës së ashpër për vrasjen e Brahmit dhe liderit të opozitës laike, Chokri Belaid.

Koalicioni opozitar, i kryesuar nga Fronti kombëtar i Zhvillimit, NSF, e akuzon Enahdën se nuk ka mundur t’i vërë frè islamistëve radikalë dhe ka dështuar në përmirësimin e ekonomisë së çalë të vendit.

Vrasja e Belaidit në muajin shkurt solli rrëzimin e qeverisë së parë të udhëhequr nga islamikët.

Që prej protestave të pranverës arabe, asnjë lider politik nuk ishte ekzekutuar në vend, ndaj ngjarja shkaktoi indinjatë të jashtëzakonshme e u pasua nga tubime të njëpasnjëshme proteste.

Pavarësisht një progresi të dukshëm në vend, që nga revolta e 2010-s, e cila çoi në përmbysjen e presidentit Zine el Abidine Ben Ali, varfëria, papunësia dhe korrupsioni vazhdojnë të mbeten probleme gërryese për Tunizinë, ende të pastabilizuar me debatet e ashpra që rrethojnë kushtetutën e re të vendit, apo protestat për kushte më të mira jetese.

Top Channel