
“Sacro Gra”, një dokumentar mbi jetën e njerëzve të thjeshtë që jetojnë në një rrugë që rrethon Romën, është shpallur mbrëmjen e së shtunës edhe fitues i “Luanit të Artë” në Festivalin e Venecias.
Është kjo hera e parë në 15 vjet që fitues është një film italian dhe hera e parë në historine e festivalit që një dokumentar e merr këtë trofe. “Sacro Gra” rrëfen historinë e një dyzine njerëzish, mes të cilëve një shkencëtar që merret me pemët, një shofer ambulance, një peshkatar ngjalash dhe një intelektual të cilit fati nuk po i buzëqesh dhe është i detyruar të jetojë në një apartament tepër të vogël me të bijën.
Sipas regjisorit Gianfranco Rossi, filmi i tij ka edhe dramë në të. Realiteti sipas tij kthehet në dramë në raste të caktuara. Kjo ka qenë në fakt edhe një tematikë e cila ka karakterizuar shumicën e filmave në festival këtë vit, sipas drejtorit të tij, Alberto Barbera. Ai ka pohuar se përzgjedhja e filmave në garë, mbase edhe për shkak të krizës ekonomike që ka pushtuar Botën, ka patur më së tepërmi histori të cilat pasqyrojnë një realitet të errët dhe të dhunshëm.
Greku Alexandros Avranas, me filmin e tij “Miss Violence”, fitoi “Luanin e Argjendtë” si regjisori më i mirë. Edhe çmimi për aktorin më të mirë i shkoi një aktori në “Miss Violence”. Themis Panou e fitoi atë me performancën e tij të një babai abuziv. Ndërsa si aktorja më e mirë u vlerësua Elena Cotta nga Italia për rolin e saj në filmin “Via Castellana Bandiera” të drejtuar nga Emma Dante.
Fitues të tjerë kanë qenë regjisori Tsai Ming-Liang me filmin e tij “Stray Dogs”, i cili mori çmimin e madh të jurisë dhe drama britanike “Philomena” që u vlerësua për skenarin më të mirë.
Top Channel