Në pritje të fjalës së Kongresit

08/09/2013 17:50

Barak Obama vendosi të shohë qëndrimin e Kongresit, përpara se të jepte urdhër për një ndërhyrje të kufizuar ushtarake në Siri.

Lëvizja e presidentit tregon se ai e ka një bindje, që mund ta marrë dritën jeshile të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, duke përligjur kështu një veprim, me të cilin pjesa dërrmuese e amerikanëve nuk pajtohen aspak.

Por, ekspertët nuk e përjashtojnë edhe mundësinë e një përgjigje negative, e cila mund ta dëmtonte – sipas tyre – pozitën politike të presidentit dhe prestigjin ndërkombëtar të Amerikës.

Megjithatë, Luke Coffey, i “US Heritage Foundation”, mendon se Obama nuk duhet të përdorë sulmin ushtarak për të shpëtuar fytyrën.

“Obama e vizatoi veten në cepin e kësaj ‘vijë të kuqe’ dhe tani po e kupton se, në fakt, nuk ka dhe aq shumë përkrahje për vendosjen e saj. Të gjithë e pranojmë se ajo çfarë ndodhi në Siri është tragjike dhe përdorimi i armëve kimike i llahtarshëm, por në fund të ditës t’i kupton se nuk ekziston asnjë përgjegjësi morale për të, diçka të cilën s’e bën dot. Dhe ka shumë mundësi, që Perëndimi të mos bëjë dot gjë për ta ndaluar Assad-in të vrasë njerëzit e tij”, tha Luke Coffey, ekspert i çështjeve të Lindjes së Mesme.

Përdorimi i dyshuar i armëve kimike në lindje të kryeqytetit sirian është konsideruar në mbarë botën si një akt barbar. Shumica janë të bindur që, në qoftë se qëllohet me armë, që vrasin pa dallim njerëz në masë, ata që janë përgjegjës për përdorimin e tyre duhet të japin llogari. Veçanërisht, në qoftë se viktima të këtij krimi janë civilët e pambrojtur.

Mjaft specialistë, megjithatë, insistojne se edhe po të konsiderohet si moralisht i pranueshëm, për shkak të ashpërsisë së krimeve të kryera, duhet mbajtur parasysh se një sulm në Siri mund të ketë pasoja të padëshirueshme.

Top Channel