Të gjitha mallrat e prodhuara në Maqedoni që nga e diela në mesnatë nuk do të mund të hyjnë në Kosovë.

Në këtë mënyrë, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i përgjigjet veprimeve të Shkupit zyrtar që ka vendosur t’i detyrojë qytetarët e Kosovës të paguajnë taksa shtesë kur vendosin të kalojnë në Maqedoni.

Një vendim i tillë, i cili do të zbatohet që nga kjo e dielë, është konfirmuar nga Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila.

Ajo ka thënë për Top Channel nëpërmjet telefonit se Qeveria maqedonase ka lëvizur çështjen prej asaj që është tërësisht në kontestet tregtare, në një çështje që pengon lëvizjen e lirë të njerëzve.

“Masa e Kosovës ndaj Maqedonisë është vetëm për mallrat e Maqedonisë. Ne e konsiderojmë masën e Maqedonisë për vënie të taksës së qytetarëve të Republikës së Kosovës si të panevojshme dhe masë e cila drejtpërdrejt dëmton lëvizjen e lirë të qytetarëve nga Kosova. Vendimi ynë për ndalim të të gjitha mallërave hyn në fuqi sot dhe do të zbatohet deri në heqje të të gjitha pengesave nga pala maqedonase”, tha ministrja Kusari-Lila.

Më tej, zonja Kusari – Lila shtoi se i vjen keq që qytetarët e Republikës së Kosovës janë keqtrajtuar duke pritur në kufi dhe duke qenë të shtyrë të paguajnë taksë. Ajo ka shtuar se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që brenda ditëve në vijim të zgjidh këtë çështje sa më shpejt me palën maqedonase, por gjithmonë në bazë të partneritetit dhe fqinjësisë së mirëfilltë.

Maqedonia, duke filluar nga e diela ka vendosur t’i detyrojë qytetarët e Kosovës të paguajnë taksa shtesë kur vendosin të hyjnë në Maqedoni. Sipas masës së vendosur, taksë prej 2 euro do të paguaj çdo shtetas i Kosovës që hyn në Maqedoni, 5 euro për çdo makinë dhe 20 euro për kamionët dhe autobusët me targa të Kosovës.

Këto zhvillime mes dy shteteve kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Maqedonisë për ndalimin e importit të miellit nga jashtë, që ka përfshirë edhe Kosovën.

Si kundërpërgjigje ndaj këtij vendimi, Qeveria e Kosovës para pak ditësh pati vendosur masa për disa prodhime maqedonase.

Top Channel