Laprakë, shpërthen makina

08/09/2013 19:10

Një makinë shpërtheu rreth 30 minuta më parë në zonën e Laprakës, duke lënë të plagosur 3 pjesëtarë të një familjeve, mes të cilëve edhe një fëmijë.

Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se i plagosur rëndë mbeti një burrë, që drejtonte automjetin Mercedes kabriolet, ndërsa në gjendje më të mirë janë gruaja dhe fëmija, që dolën të përgjakur nga makina.

Burime të policisë mendojnë se bëhet fjalë për një atentat, ndonëse ende nuk mund të jepet një version për këtë ngjarje, pasi sapo kanë nisur hetimet.

Të plagosurit u nisën drejt spitalit, ndërsa dëshmitarët panë kalimtarë, që nxirrnin nga makina fëmijët e përgjakur.

Burime nga vendngjarja thanë se makina që shpërtheu ishte kabriolet, çka bëri që pasojat e shpërthimit të ishin më të vogla.

Ngjarja ndodh vetëm pak ditë pas një tjetër shpërthimi të ndodhur në Tiranë, në rrugën “Siri Kodra”, ku iu vu eksploziv makinës së një biznesmeni ndërtimi, fatmirësisht pa të lënduar.

Top Channel