Kerry takon ministrat e arabë

08/09/2013 00:00

Sekretari i Shtetit, John Kerry deklaroi se Ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe janë të një mendimi me Shtetet e Bashkuara se presidenti sirian, Bashar al Assad e kaloi “vijën e kuqe” me përdorimin e armëve kimike më 21 gusht.

Deklarata e Sekretarit Kerry u bë nga Parisi, ndalesa e tij e parë në turin e vizitave 4-ditore në Europë për të siguruar mbështetjen e sa më shumë vendeve për të ndërhyrë në Siri.

Megjithatë, pavarësisht qëndrimit të përbashkët të liderëve arabë se Assad “e kaloi vijën e kuqe”, vendet e Ligës Arabe janë të ndara sa i përket ndërhyrjes ushtarake. Vendet si Katari dhe Arabia Saudite mbështesin ndërhyrjen, ndërsa vendet kufitare me Sirinë, si Libani dhe Jordania janë më të kujdesshme dhe i tremben përhapjes së konfliktit në rajon.

Por Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se numri i shteteve që janë gati të ndërmarrin veprime ushtarake ndaj qeverisë siriane po shtohet gjithnjë e më shumë.

“Numri i shteteve që janë gati për veprime ushtarake ndaj diktatorit al-Assad ka shkuar në dy shifra. Janë më shumë sesa kemi nevojë për ndërhyrjen ushtarake që kemi në mendje”, shtoi Kerry.

Takimi mes Kerry dhe Ministrave të Jashtëm të Ligës Arabe në Paris ishte përcaktuar kohë më parë për të diskutuar mbi procesin e paqes mes Izraelit dhe Palestinës, por ngjarjet e muajve të fundit në rajon, zhvendosën në plan të dytë këto bisedime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB