Për t’i hapur rrugë detyrës së tij të re në postin e zv.kryeministrit në qeverinë Rama, kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi dha sot dorëheqjen nga ky post.

Në mesazhin e dorëheqjes, Peleshi shpreh keqardhjen që po shkëput një mandat të buruar nga vullneti i qytetarëve korçarë, por shton se ai do të vazhdojë të jetë një mbështetje e vazhdueshme për Korçën dhe qytetarët e saj.

“Po ndërpres një mandat që ka buruar nga vullneti i qytetarëve të Korçës dhe dorëheqja ishte një vendim i vështirë për mua. Kemi bërë së bashku më të mirën për këtë qytet, por unë do të vazhdoj të jem një mbështetje e vazhdueshme për qytetin e Korçës”, deklaron Peleshi.

Nga e hëna, kur parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit do të mblidhet për herë të parë, nisin procedurat për ndërrimin e qeverive. Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama i propozoi Niko Peleshit, tashmë ish-kryetar i Bashkisë së Korçës, postin e zv.kryeministrit gjatë publikimit të përbërjes së qeverisë së re në fund të muajit korrik.

Dorëheqja e Peleshit i hap rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të reja për kryetar të Bashkisë së Korçës që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Top Channel