Përafrohen qëndrimet e palës kosovare dhe asaj serbe përsa i përket zbatimit të plotë të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit dhe asaj për çështjet doganore.

Qeveria e Kosovës bëri të ditur nëpërmjet një komunikate se delegacioni kosovar i udhëhequr nga zv.kryeministrja Edita Tahiri zhvilloi në Bruksel takimet e radhës për zbatimin e IBM-së.

Zonja Tahiri citohet të ketë thënë se procesi i zbatimit të paktit ka hyrë në një fazë të re dhe po bëhet përgatitje intensive për ndërtimin e godinave të përhershme të IBM-së në gjashtë pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, me financimin e BE-së, ashtu siç e parasheh marrëveshja dhe protokolli teknik.

“Në këtë drejtim janë duke u punuar planet ideore nga ana e BE-së dhe gjatë takimeve janë prezantuar projektpropozimet e hartuara nga kompania e kontraktuar nga BE-ja mbi dizajnin e pikëkalimeve të përhershme kufitare të IBM-ve”, citohet Tahiri.

Po ashtu, në këtë takim është biseduar për përmirësimin e komunikimit dhe këmbimit të informatave sipas rregullave të IBM-së mes autoriteteve shtetërore të të dyja vendeve përgjegjëse për kontrollin kufitar, siç janë policia, doganat, agjencia e veterinës dhe ushqimit.

Theks i veçantë i është kushtuar zbatimit të projektit SEED, që nënkupton komponentën e komunikimit dixhital mes doganave të të dyja shteteve, i cili pritet të fillojë nga fundi i këtij muaji dhe që është një standard evropian që përdoret nga të gjitha shtetet e Evropës Juglindore.

Top Channel