“Dhoma” ende e pabindur me Obamën

07/09/2013 05:20

Edhe pse Komisioni i Jashtëm në Senat ka mbështetur thirrjen e presidentit Barack Obama për veprime ushtarake ndaj Sirisë, një “mur” kundërshtimi i drejtpërdrejtë apo skepticizmi nga demokratët dhe republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve e bëjnë aprovimin aty tepër të vështirë.

Kreu i Dhomës, John Boehner, i cili mbështet Obama-n mbi këtë çështje, mirëpriti lajmet e së premtes se presidenti do të zhvillonte një fjalim kombëtar të martën, në përpjekje për të ndikuar në opinionin publik, i cili e kundërshton tashmë një hap të tillë.

Por, zëdhënësi i Boehner sinjalizoi se votat nuk janë në Dhomë për të kaluar një rezolutë që autorizon forcën ndaj Sirisë dhe se republikanët po ia ngarkojnë të gjithë barrën mbi shpatulla Obama-s.

“Vetëm presidenti mund të bindë publikun, se një sulm ushtarak është i nevojshëm. Ne shpresojmë që ky të mos jetë një veprim i vonshëm, për të bërë diferencën”, tha zëdhënësi i Boehner, Brendan Buck, në një deklaratë.

Megjithatë, ndihmësit e lartë të Dhomës e shohin ende të vështirë gjetjen e një rruge për kalimin e kësaj nisme.

Zëvendësi i Boehner, lideri i mazhorancës në Dhomën e Përfaqësuesve, Eric Cantor, mbështet gjithashtu presidentin dhe po flet me anëtarët e tjerë duke i nxitur të rishohin materialet e klasifikuara, që zyrtarë të administratës thonë se ndikojnë në favor të nismës së tyre për veprime ushtarake.

Cantor shkroi një editorial në vendin e lindjes, Richmond, duke shpjeguar arsyet se pse beson që veprimet ushtarake janë të nevojshme. “Amerika ka një interes imponues të sigurisë kombëtare, për të shmangur dhe përgjigjur përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, sidomos nga shtetet terroriste, madje për të shmangur edhe destabilizimin e mëtejshëm të një rajoni të interesit jetik ndaj SHBA-ve”, tha ai.

Një ndihmës/lider i republikanëve të Dhomës tha se perspektiva për një mbështetje shtesë domethënëse të republikanëve është “e keqe” dhe “për momentin është drejt refuzimit”.

Kongresi përfundon pushimet verore dhe anëtarët e tij do të kthehen formalisht në punë javën e ardhshme.

Top Channel