BE: Përgjigje të fortë sulmeve kimike

07/09/2013 00:00

Evropianët janë për një “përgjigje të fortë” ndaj sulmit kimit të 21 gushtit në Siri, për të cilin informacionet në dispozicion tregojnë përgjegjësinë e regjimit të Assad.

Kështu ka deklaruar përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton, pas mbledhjes së shefave të diplomacisë të 27 vendeve anëtare në Vilnius.

“Më 21 gusht, një sulm në shkallë të gjerë me armë kimike u krye në Damask, duke vrarë qindra persona, përfshirë gra e fëmijë. Përballë këtij përdorimi cinik të armëve kimike, komuniteti ndërkombëtar nuk mund të rrijë i heshtur dhe është e qartë që duhet të japim një përgjigje të fortë, për të bërë të qartë se krime të tilla janë të papranueshme dhe nuk mund të mos ndëshkohen”, ka deklaruar Ashton.

Ndërkohë, këtë të shtunë Gjermania ka vendosur t’i bashkohet apelit që përmban një dokument i firmosur të premten në Shën Pietërburg, në kuadër të samitit të G20-s nga 11 vende.

Kancelarja Angela Merkel ka lavdëruar qëndrimin unanim evropian në apelin për një reagim ndërkombëtar ndaj sulmeve me armë kimike, duke e cilësuar “të një rëndësie të paçmueshme”.

Kryeministri italian, Enrico Letta, vendi i të cilit firmosi apelin në Shën Pietërburg, ka mirëpritur vendimin e Berlinit zyrtar për t’iu bashkuar nismës kundër regjimit sirian.

“Shumë mirë që edhe Gjermania vendosi sot të firmosë dokumentin kundër përdorimit të armëve kimike të hartuar dje në Rusi”, ka komentuar Letta në rrjetin social Twitter.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili ndodhet po ashtu në kryeqytetin e Lituanisë, ka vlerësuar mbështetjen ndërkombëtare për sulmin ushtarak kundër Sirisë.

“Ne jemi shumë mirënjohës për deklaraten që doli pas takimit në lidhje me Sirinë. Ishte një deklaratë e fortë për nevojën e përgjegjësisë”, ka thënë Kerry.

Ndërkohë, Rusia ka përsëritur qëndrimin se një ndërhyrje pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të ishte e paligjshme dhe ka shtuar se në një rast të tillë, ajo do të vazhdojë ndihmën për Sirinë.

Deklaratës së sotme të Moskës zyrtare i është bashkuar edhe Pekini, që është shprehur kundër hedhjes së çdo hapi pa miratimin e OKB-së. 

Top Channel