Australia i drejtohet kutive të votimit

07/09/2013 03:00

Australianët kanë nisur të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme, teksa koalicioni “liberal-kombëtar” i liderit të opozitës, Tony Abbott, synon t’i japë fund qeverisjes 6-vjeçare të laburistëve.

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se Kevin Rudd, i cili u rikthye si kryeministër vetëm 3 muaj më parë, është pas rivalit të tij në këto zgjedhje.

Rivalët politikë në Australi janë të ndarë sa i përket mënyrës se si do të përballojnë defiçitin buxhetor të vendit, por të dy ata kanë premtuar masa të ashpra për të ndaluar azilkërkuesit, që shkojnë me varka në ishull.

Sipas ligjit, të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeç duhet të votojnë. Më shumë se 14 milionë njerëz priten të hedhin votën e tyre në kutitë e votimit gjatë zgjedhjeve të së shtunës. Vetëm pak çaste pas hapjes së procesit të votimit, Komisioni Zgjedhor i Australisë zbuloi se një rekord prej 3,2 milionë votash janë hedhur tashmë.

Rudd vendosi të mbante zgjedhje të përgjithshme pasi rrëzoi Julia Gillard në një sfidë për lidershipin e partisë në pushtet, gjatë muajit qershor, edhe pse votimi i asaj kohe shënonte shifra shumë të ulta. Gillard, nga ana e saj, kishte rrëzuar Rudd nga posti i kryeministrit në vitin 2010.

Laburistët panë në fillimet e fushatës një rritje të shifrave pro tyre, por gjatë javëve të fundit Abbott ka zgjeruar sërish hendekun mes rivalëve për pushtet. Ai ka pasur edhe mbështetjen e fortë të gazetave të Rupert Murdoch, ndaj dhe mbetet në avantazh nga sondazhet.

Qendrat e votimit në Australinë lindore u hapën në 8:00 me orën lokale (23:00 të së premtes me orën tonë) dhe do të mbyllen në 18:00. Ndërkohë, në shtetet perëndimore, votimi do të mbyllet 2 orë më vonë, për shkak të diferencave të zonave të ndryshme orare.

Abbott, i shoqëruar nga e shoqja dhe vajzat, votoi në rajonin verior të Sidneit, Warringah, vetëm pak pas nisjes së procesit. Ndërsa Rudd, i cili u shfaq disa herë në media gjatë orëve të para të së shtunës nga qyteti i lindjes, Brisbane, nuk pritet të votojë përpara orëve të mbasdites.

Të dy udhëheqësit kandidatë mbyllën fushatën gjatë ditës së premte, kur Rudd apeloi fuqishëm ndaj votuesve të pavendosur, duke u thënë se mund të ngushtonin diferencat.

Kryeministri aktual theksoi arritjet ekonomike të qeverisë laburiste dhe tha se prioriteti i tij ishte “punë, më shumë punë dhe punë, shëndetësi, spitale dhe telekomunikacion, si dhe mbështetje ndaj kostove dhe presioneve të jetesës”.

Ndërsa Abbott tha se koalicioni i tij “do t’i jepte fund mbetjeve, ndalte varkat dhe do të ndërtonte rrugët e shekullit të 21”. Ai paralajmëroi gjithashtu votuesit kundër “një tjetër parlamenti të varur, si dhe një qeverie ‘laburiste-të gjelbër’ të dobët dhe të përçarë”. “E vetmja rrugë për të pasur zgjidhje të reja është të zgjedhim një qeveri të re”, tha ai.

Top Channel