Vdes truproja e fundit e Hitlerit

06/09/2013 19:00

Truproja e fundit e mbetur gjallë e Adolf Hitler, që ishte me diktatorin deri në momentet e fundit të jetës, ka vdekur në Gjermani në moshën 96-vjeçare.

Rochus Misch ishte i mbijtuari i vetëm nga Bunkeri i Berlinit ku fyrheri i dha fund jetës. Ish-agjenti i SS ishte kujdesur për lidhjet telefonike në bunker dhe së fundmi ishte shprehur krenar për kohën dhe detyrën e kaluar pranë “bosit”.

Në një intervistë për “Associated Press”, ai e quante Hitlerin një “njeri shumë normal”, që sipas tij nuk ishte i egër dhe as një përbindësh.

Për pesë vjet, Misch kishte punuar brenda rrethit të ngushtë të fyrherit si truprojë, korier mesazhesh dhe operator telefonik.

“AP” thotë se në intervistën e tij ai kishte anashkaluar pyetjet për fajin dhe përgjegjësinë, duke thënë se nuk dinte asgjë për vrasjen e 6 milionë hebrenjve dhe se Hitleri nuk e mori kurrë vendimin përfundimtar në praninë e tij.

“Isha në dijeni për kampin Dachau dhe kampet e tjera të përqendrimit, por nuk e kisha identë për shkallën e viktimave. Kjo nuk ishte pjesë e bisedave tona”, kishte thënë Misch në një intervistë tjetër për BBC.

“Me krimet e gjermanëve u mor Procesi i Nurembergut. Por duhet të keni parasysh se nuk ka pasur kurrë luftë pa krime dhe kurrë nuk do të ketë”, ka shtuar ish-truproja.

Lindur në vitin 1917 në fshatin Alt Shalkovitz, në Poloni, Misch kishte mbetur jetim në moshë të mitur dhe ishte rritur me gjyshërit. Ai ishte një bojaxhi para se të bashkohej me regjimentin SS në moshën 20-vjeçare.

Top Channel