Takimi Kinë-Japoni për ishujt e diskutuar

06/09/2013 08:45

Liderat kinezë dhe ata japonezë shtrënguan duart dhe biseduan për disa minuta, gjatë një takimi të papritur në kuadër të prezencës së tyre në Shën Pjetërburg, në takimin e “G20”-s.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping dhe kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, nuk ishin takuar më parë që prej marrjes së pushtetit në mars 2013 dhe dhjetor 2012, përkatësisht.

Dy superfuqitë ekonomike të Azisë janë të përfshira në një konflikt të ashpër territorial, mbi një grup ishujt që të dy shtetet, plus Tajvani, pretendojnë në detin e Kinës Lindore.

Aktualisht, ishujt Senkaku (të njohura si Diaoyu në kinezisht) kontrollohen prej Japonisë, por në zonë ka pasur disa përplasje, midis anijeve patrulluese të të dy shteteve.

Pekini ka protestuar fuqimisht ndaj blerjes së ishujve Senkaku prej pronarit të tyre të ligjshëm nga ana e qeverisë japoneze, duke e konsideruar këtë mënyrë të përvetësimit të territoreve si një precedent tejet të rrezikshëm për komunitetin ndërkombëtar.

Protesta dhe kundërprotesta janë mbajtur në të dy vendet, me Kinën që ka shpallur një bojkot të gjerë jozyrtar ndaj mallrave japoneze, ndërsa takimet e mëparshme diplomatike nuk kanë dhënë një rezultat për zgjidhjen e krizës.

Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë kontributi do të japë takimi mes dy liderave në çtensionimin e situatës.

Top Channel