Dalin videot e dëshmive të Bill e Hillary Clinton në Kongres për lidhjen me Epstein: E vërteta e fotos në vaskë, biseda me Donald Trump për financierin Presidenti amerikan, Barack Obama deklaroi se nëse komuniteti
ndërkombëtar nuk dërgon një përgjigje të fortë presidentit Bashar al
Assad për përdorimin e armëve kimike, dërgon një mesazh të gabuar për të
gjithë diktatorët.
Gjatë një konferencë për mediat në ditën e dytë dhe të fundit të samitit të G20 në Shën Petersburg, presidenti amerikan tha se do të preferonte një ndërhyrje të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por tha se veto e Rusisë dhe e Kinës në këtë institucion vendosin në rrezik gjithë normat ndërkombëtare.
“Ka një ndarje dhe ka të bëjë me Kombet e Bashkuara, ku një numër vendesh për cështje parimore, thonë që ndërhyrja duhet të kalojë nëpërmjet Këshillit të Sigurimit. Nëse jemi seriozë për të dënuar armët kimike, ndërhyrja ndërkombëtare kërkohet, por kur kjo nuk vjen nga KS….Këtu qendron ndarja. Do të preferoja që të punoja nëpërmjet OKB për këtë, por së fundmi besoj që siguria e botës kërkon veprim në kohën kur ka një paralizim të komunitetit ndërkombëtar. Nëse shkelet një herë ajo normë rrëzohet, nëse ajo normë rrëzohet, norma të tjera rrëzohen më vonë, dhe kjo do ta bënte botën më të rrezikshme. 1400 njerëz u helmuan dhe mbi 400 nga këta ishin fëmijë. Nuk e kërkojmë këtë për t’u justifikuar për të ndërhyrë në luftë. Sic e kam thënë, jam zgjedhur për të përfunduar konfliktet, jo për t’i nisur ato. Katër vitet e kaluara i kalova duke mbyllur këto konflikte, por sot sytë e botës janë drejtuar nga Shtetet e Bashkuara duke thënë: pse SHBA, vendi më i fuqishëm në botë nuk po bën dicka?!”, tha Obama.
Obama tha se kishte patur një bisedë mbi situatën në Siria me presidenti Putin, ndërsa deklaroi se pjesa më e madhe e vendeve ranë dakort se në Siri u përdorën armë kimike dhe pjesa më e madhe e tyre fajësuan për këtë presidentin Assad.
Lidhur me rrezikun e përshkallëzimit të luftës, Obama tha se SHBA nuk po përballet ushtarakisht as me Rusinë, as me Kinën, por me terrorizmin, me shtete të falimentuara dhe drejtues që pasurojnë armë të shkatërrimit në masë.
Presidenti amerikan tha se më vonë do të ketë një deklaratë të Departamentit të Shtetit ku do të renditen vendet që mbështesin sulmin ushtarak ndaj Sirisë, ndërsa lidhur me autorizimin e Kongresit për ndërhyrje, Obama tha aktualisht kërkesa e tij është në shqyrtim dhe ritheksoi se ndërhyrja do të jetë e kufizuar në 60 ditë.
Putin: Ndërhyrja në Siri, s’është hap i zgjuar
Ashtu sic edhe pritej, konflikti sirian eklipsoi punimet e samitit të G20 në Shën Petersburg të Rusisë.
Në ditën e dytë dhe të fundit të këtij samiti, presidenti rus Vladimir Putin doli para mediave ku ritheksoi edhe njëherë tjetër qendrimin kundër të Moskës ndaj ndërhyrjes ushtarake në Siri.
Pyetjes se a kishin ndikuar mosmarrëveshjet dhe qendrimet diametralisht të kundërta sa i përket konfliktit sirian në diskutimet e temave kryesore ekonomike, për të cilat mblidhen cdo herë vendet e G20, Putin iu përgjigj:
“Sigurisht ajo që po ndodh në Siri po ndikon edhe në zhvillimin ekonomik global dhe jo vetëm rajonal. Duhet të themi se ekonomia globala vuan nga kriza dhe nuk është hap i zgjuar të provokojmë një konflikt të ri në Lindjen e Mesme”, tha shefi i Kremlinit.
Putin konfirmoi një takim bilateral me kryeministrin britanik, David Cameron.
“Po pata një takim me kryeministrin Cameron, takim që e përfunduam pas mesnatës dhe diskutova me kryeministrin britanik edhe për Sirinë”, tha ai.
Presidenti rus shtoi se pjesa më e madhe e vendeve të G20 janë kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri. Ai rënditi edhe listën e vendeve, sipas tij, pro dhe kundër.
“Nuk ka një ndarje 50-50 të G20 për ndërhyrjen në Siri. Mund t’u them që ka një qendrim për të ndërhyrë, të SHBA, Francës, Kanadasë dhe kryeministrit Cameron, por sic ju e dini parlamenti britanik votoi kundër kësaj ndërhyrje, ndërsa ka një refuzim kategorik të ndërhyrjes nga Rusia, Kina, Indonezia, India, Argjentina madje dhe Italia. Njerëzit janë kundër luftës, madje edhe në Shtetet e Bashkuara”, tha Putin.
Ai fajësoi edhe njëherë tjetër grupet rebele për sulmin me armë kimike duke thënë se ishte “një provokim për të tërhequr në luftë vende që janë kundër presidentit Bashar al Assad”.
Sa i përket mosmarrëveshjeve me presidentin Obama, Putin tha se kishte patur një bisedë miqësore për 20-30 minuta me të ku ishte diskutuar edhe Siria, ndërsa cështja e ish-spiunit të CIA-s që strehohet në Rusi, Eduard Snouden tha se nuk ishte prekur në këtë bisedë.
Cameron: Siria, jo si Iraku
Pothuajse në të njëjtën orë me presidentit Putin, në një konferencë për mediat doli edhe kryeministri britanik, David Cameron.
Interesimi më i madh i gazetarëve sërish kishte të bënte me konfliktin sirian dhe vendin që ai zuri në diskutimet e G20.
Cameron tha se nuk ishte diskutuar gjatë takimeve të G20 sepse ky forum mblidhet për të diskutuar mbi cështjet ekonomike. Megjithatë ai shtoi se nisur nga rëndësia që paraqet lufta në Siri, ai ka zhvilluar një takim mbrëmjen e së enjtes me presidenti rus, Vladimir Putin.
Cameron tha se cështja e dhënies së autorizimit apo jo për të ndërhyrë në Siri i përket Kongresit amerikan, ndërsa këmbënguli në qendrimin e tij personal se nëse nuk i jepet një përgjigje diktatorit Assad për përdorimin e armëve kimike, ky do të shërbejë si shembull për të gjithë diktatorët e tjerë për t’i përdorur ato.
Kryeministri britanik refuzoi krahasimin e situatës së Sirisë me atë të Irakut të Sadam Huseinit. Ai tha se në Siri nuk po kërkojmë për armë kimike sepse përdorimi i tyre ka ndodhur para syve tanë.
Top Channel