“SHBA do të vuajnë po sulmuan Sirinë”

06/09/2013 03:00

Ndërkohë që pasojat e një sulmi të tmerrshëm me armë kimike vazhdojnë të mbizotërojnë në samitin e liderëve botërorë, disa nga miqtë e patundur të Sirisë sulmojnë atë që e quajnë “arrogancë” të përpjekjeve të kryesuara nga SHBA, për sulm ndaj vendit të shkatërruar nga lufta dhe thonë se ata që do të ndërmarrin këtë veprim do të paguajnë një çmim të kripur.

Ayatollah Ali Khamenei i Iranit tha, gjatë së enjtes, se Shtetet e Bashkuara – të cilët, përveç se janë një nga kundërshtarët kryesorë të tyre, kanë udhëhequr thirrjet për të ndëshkuar qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, pas përdorimit të armëve kimike – nuk kanë të drejtë të bëjnë “kërkesa humanitare, duke pasur parasysh historinë e kaluar” në Irak, Afganistan dhe në burgun ushtarak të Guantanamos, në Kubë.

Trazirat në Lindjen e Mesme – tha lideri iranian në deklaratën e raportuar nga media shtetërore “Press TV” – vijnë “si pasojë e arrogancës globale”, që i ka rrënjët në Washington. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të godasin Sirinë – shtoi ai – ata nuk do të mund “të eliminojnë rezistencën”.

“Ne besojmë se amerikanët po kryejnë një marrëzi e gabim në Siri, ndaj dhe do të përballen me një goditje, nga e cila padyshim që do të vuajnë”, tha Khamenei.

Ai foli në të njëjtën ditë, kur Hezbollah lëshoi deklaratën e parë zyrtare, që prej fillimit të përpjekjeve për sulme kundër forcave të al-Assad, për shkak të sulmeve të 21 gushtit me armë kimike në periferitë e Damaskut, që sipas përllogarive të amerikanëve lanë mbi 1400 persona të vrarë, shumë prej të cilëve fëmijë.

Grupi, i cili është tepër popullor në disa pjesë të botës arabe, por që vazhdon të konsiderohet si një organizatë terroriste nga SHBA-të, deklaroi se çdo sulm ushtarak ndaj qeverisë së Sirisë do të përbëjë “një formë të drejtpërdrejtë dhe të organizuar terrorizmi”.

“Këto kërcënime kanë dështuar të fshehin objektivat reale të sulmit, që synon të  mobilizojë Izraelin dhe të tregojë forcën në rajon, në përpjekje për të imponuar kontrollin kolonizator të Perëndimit”, akuzoi Hezbollah në deklaratën e lexuar nga parlamentari Hassan Fadlallah, siç u raportua nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve, në Liban.

Deklaratat e Hezbollahut dhe Iranit janë domethënëse, duke ditur shqetësimet se ndërhyrja ushtarake ndërkombëtare në Siri mund të nisë një luftë më të gjerë, e cila do të destabilizojë edhe më tepër rajonin, por edhe botën.

Hezbollah, me seli në Liban, është i lidhur me një numër sulmesh terrorste dhe është një nga kundërshtarët kryesorë të Izraelit. I tillë është edhe Irani, i cili ka qenë në konflikt me Washington-in dhe vendet e tjera perëndimore prej vitesh, për shkak të programit bërthamor të tij.

Megjithatë, liderët amerikanë dhe perëndimorë vazhdojnë të nxisin komunitetin ndërkombëtar për veprime ushtarake kundër qeverisë së Sirisë, duke dhënë argumentet e tyre përgjatë së premtes në samitin e G20, në Shën Pjetërburg të Rusisë.

Përpara se të nisej për në lindje, presidenti amerikan Barack Obama tha se beson që bota ka një detyrë për të vepruar, duke thënë se dështimi për ta bërë diçka të tillë do t’u japë të drejtë atyre që zotërojnë armë kimike, biologjike dhe bërthamore, për t’i përdorur ato ndaj kujtdo.

Duke argumentuar se “besueshmëria e komunitetit ndërkombëtar është në diskutim”, presidenti tha se “gjëja më e moralshme që mund të bëjmë është të mos qëndrojmë në heshtje dhe të vëzhgojmë”.

Top Channel