Qipro, parlamenti refuzon termat e Trojkës

06/09/2013 02:10

Parlamenti qipriot refuzoi paketën e ligjeve të kërkuara nga huadhënësit ndërkombëtarë, në këmbim të këstit të dytë prej 10 miliardë eurosh nga BE-FMN.

Ligjvënësit votuan me 21 vota pro dhe 23 kundër për 2 projektligje që vinin bankat e nivelit të dytë nën mbikqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Qendrore. Qipro ka marrë tashmë 3 miliardë euro, si pjesë e marrëveshjes së arritur në mars.

Vendi ishullor ndodhet në vështirësi financiare, që prej goditjes së pësuar nga ekonomia greke, ku bankat qipriote kanë ndërmarrë investime të mëdha.

Paketa e shpëtimit në Qipro prekte dy bankat më të mëdha të vendit, Bankën e Qipros dhe bankën tashmë të falimentuar (shpërbërë) Laiki. Ajo u nënshkrua me Trojkën e huadhënësve ndërkombëtarë, Komisionin Europian, Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Mbikqyrësit thanë se refuzimi i legjislacionet e së enjtes ishte i papritur. Projektligjet janë parakusht për dhënien e këstit të dytë të shpëtimit prej 1,5 miliardë euro.

Ministri i Financave, Harris Georgiades, raportohet të ketë nxituar menjëherë për në parlament, në kryeqytetin Nikosi, për t’u takua me liderët e partive dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Ndërkohë, qindra demonstrues u mblodhën jashtë parlamentit për të protestuar kundër masave shtrënguese. Termat e shpëtimit kanë qenë kontroverse, sepse përfshijnë humbje të mëdha për depozituesit me shuma të mëdha në llogaritë e tyre.

Si pjesë e marrëveshjes, një taksë e përkohshme prej 9,9% u vendos ndaj depozituesve me më shumë se 100 mijë euro në llogaritë e tyre. Masat shtrënguese synojnë të rrisin miliardat e huadhënies shpëtuese, por edhe të mbrojnë klientët e bankave me depozita të vogla.

Në qershor, presidenti Nicos Anastasiades nxiti liderët e eurozonës të rishikonin termat e ndihmave bankare, duke thënë se taksat e vendosura ndaj depozitave të mëdha kishin gërryer në mënyrë të konsiderueshme kapitalin e bizneseve nëpër banka.

Qipro është vendi i 5-të, pas Greqisë, Republikës së Irlandës, Portugalisë dhe Spanjës, që ka kërkuar ndihmë financiare eurozonës, gjatë krizës së borxheve të rajonit.

Masat shtrënguese të qeverisë përfshijnë gjithashtu edhe privatizimin e një numri të madh kompanish shtetërore.

Top Channel