Një “Pasdite” me Luli Bitrin

06/09/2013 00:00

Aktorja Luli Bitri, pas disa çmimeve të marra në kinematografinë europiane, më i fundit ai i dhënë në Napoli në edicionin e 13-të të festivalit dedikuar filmit, rikthehet në Tiranë për projektin e saj më të ri kinematografik.

Luli Bitri vjen pas ftesës së bërë nga regjisori i ri Kreshnik Saraçi, i cili do ta sjellë atë të interpretojë krah aktorit Ndriçim Xhepa. Bëhet fjalë për filmin me metrazh të shkurtër, i cili do të mbajë titullin ‘Më në fund në shtëpi”.

Në një intervistë në studion e emisionit ‘Pasdite në Top Channel”, aktorja theksoi se roli kryesor tek filmi “Amnistia” ishte “pika e kthesës” në karrierë.

“Në kinema kisha bërë gjithmonë role dytësore dhe ky film më dha bindjen se mund ta përballoja një rol kryesor në kinema. Cmimet që erdhën pas këtij filmi më dhanë siguri dhe kënaqësi. Pastaj erdhën edhe projektet e reja në Itali”, theksoi Bitri.

Aktorja shqiptare foli edhe për ndryshimet mes Italisë dhe Shqipërisë: “Vetëm gjuha ndryshon pasi njerëzit ankohen njësoj si këtu. Edhe atje ka pesimizëm në këtë kohë krize. Gjuha dhe mentaliteti që në Shqipëri është po i njëjti, mentalitet që më ka torturuar në adoleshencë. Liria e femrave vazhdon të mos ekzistojë.”

Top Channel