22 vite pas pavarësimit, Maqedonia karakterizohet si një shtet, në të cilin nuk funksionon demokracia, ku shqiptarët diskriminohen, administrata shtetërore ështe politizuar, ndërsa media dhe Gjyqësori kontrollohen nga pushteti.

Me këto vlerësime dolën një grup intelektualësh maqedonas e shqiptarë, gjatë një debati për përvjetorin e vendit.

“Kjo qeveri nuk do të mund të rrëzohet në mënyrë demokratike në zgjedhje, por vetëm përmes ndonjë përçarje të brendshme apo grusht shteti. Këtë e them, pasi jemi dëshmitarë se qeveria e Gruevskit ka kontrollin mbi buxhetin shtetëror pa kurrfarë transparence, ajo posedon një administratë prej 180 mijë të punësuarish, të cilën e keqpërdor në çdo mënyrë për qëllimet e veta, dhe kontrollon mbi 95% të hapësirës mediatike. Ndaj dhe rënia në zgjedhje do të ishte befasi”, komenton Sasho Ordanovski, analist.

Për shkak të trajtimit jo të barabartë të qytetarëve, 8 shtatori, që njihet si dita e Pavarësisë së Maqedonisë, kremtohet vetëm nga maqedonasit.

“Nuk besoj se udhëheqësit tanë, 8 shtatorin – ditën e Pavarësisë, mund ta shndërrojnë në një datë, që festohet nga të gjithë qytetarët. Kjo, për shkak të paragjykimeve, që kanë mes tyre politikanët maqedonas dhe ata shqiptarë, që drejtojnë vendin. Këto paragjykime, në vend që të eliminohen, po shtohen çdo ditë e më shumë, madje dhe me ndihmën e institucioneve”, shtoi Ramadan Ramadani, analist.

Sipas analistëve, sa i përket procesit të integrimit në strukturat euro-atlantike, Maqedonia, nga një vend lider në rajon, është shndërruar në shtetin më të izoluar.

“Vite më parë ishim lider në rajon, madje edhe para Kroacisë. Por sot, për fat të keq, nuk është kështu. Maqedonia tani futet në grupin e të ashtuquajturave shtete të pa përfunduara, së bashku me Bosnjën, sepse Kosova mendoj që tashmë ka dalë nga ky grup”, tha Lidija Dimova, analiste.

Më 8 shtator 1991, në Maqedoni u mbajt referendumi i Pavarësisë, në të cilin shumica e qytetarëve maqedonas  u shprehën pro pavarësimit të vendit nga ish-Federata Jugosllave.

Shqiptarët, si popull i dytë në Maqedoni, bojkotuan referendumin, në shenjë revolte ndaj Kushtetutës së këtij vendi, e cila nuk i dha atyre trajtim të barabartë me popullin maqedonas.

Top Channel