Krimet e kryengritësve sirianë

06/09/2013 09:45

Një video tronditëse tregoi momentet në të cilën shtatë ushtarë të dorëzuar të ushtrisë siriane u ekzekutuan përpara kamerës nga kryengritësit që luftojnë për rrëzimin e regjimit të tij.

Pamjet u verifikuan dhe publikuan fillimisht nga e përditshmja “New York Times”.

Ushtarët, të çarmatosur dhe të zhveshur, ekzekutohen pa gjyq dhe në shkelje të plotë të Konventës së Gjenevës për rrobërit e luftës.

”Top-Channel”, për arsye etike dhe për të shmangur përhapjen e pamjeve të rënda vendosi që të mos publikojë fotot e plota dhe as videon e ekzekutimit, të transmetuar nga disa prej mediave ndërkombëtare.

Përpara ekzekutimit, lideri i grupit, i identifikuar si Abdul Samad Issa, reciton disa poezi revolucionare dhe një lutje fetare.

Më pas ai qëllon me një plumb të vetëm pas koke një prej rrobërve, ndërsa menjëherë më pas rebelët e tjerë hapin zjarr me breshëri duke bërë shoshë nga plumbat viktimat.

Trupat e pajetë trajtohen pa asnjë dinjitet njerëzor, duke u hedhur si të ishin mbeturina në një pusetë.

Video të tilla, në një moment në të cilin SHBA dhe aleatët perëndimorë po përgatisin një sulm mbi regjimin e Bashar al-Assad, tregojnë një fytyrë të frikshme të një pjese të forcave kryengritëse, që synojnë të zëvendësojnë në pushtet diktatorin.

Edhe më parë, Uashingtoni ka shprehur shqetësimin se lëvizja kryengritëse në Siri është duke u redikalizuar me muxhahedinë, përkatës të organizatave ekstremiste muslimane, ndërsa në një editorial, “CNN”  argumentonte më parë gjatë javës se është pikërisht mungesa e një alternative të qartë për zëvendësimin e al-Assad, ajo që po shtyn SHBA-të drejt një sulmi të kufizuar dhe jo një ndërhyrje të plotë për rrëzimin e sistemit të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA