Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë refuzoi kërkesën e OSBE-së për mbledhjen e aplikacioneve të votimit për serbët e zhvendosur në Serbi që nga pas lufta.

Anëtarët e KQZ-së e vlerësuan këtë kërkesë si të papranueshme, pasi është në kundërshtim të plotë me ligjin e Kosovës. Sipas tyre, votuesit jashtë vendit, qofshin ata edhe serbë të zhvendosur, në mungesë të funksionimit të shërbimeve postare duhet t’i dërgojnë aplikacionet në mënyrë individuale, me faks apo nëpërmjet adresës elektronike.

“Unë mendoj që një kërkesë e tillë nuk duhet të hidhet në votim për shumë arsye. Mendoj se ne e kemi një rregull se si duhet të rregullohet votimi jashtë Kosovës. Ne i kemi edhe ligjet dhe konform nenit të ligjit, neni 97, ne aplikacionet do t’i pranojmë mes postës, nga kutitë postare të KQZ-së, apo përmes faksit dhe do ta udhëzojmë OSBE-në që të veprojë konform ligjit”, deklaroi Betim Gjoshi, anëtar i KQZ nga PDK.

“Unë natyrisht që jam kundër kësaj kërkese për disa arsye. E para ka të bëjë me bazën ligjore se ku bazohet një kërkesë e tillë, e dyta ka të bëjë me formën e kësaj kërkese se si e trajton KQZ-në dhe e treta ka të bëjë me përgjegjësitë dhe operacionet që tenton të përmbushë OSBE-ja, që në fakt janë përgjegjësi ekskluzive të KQZ-së”, deklaroi nga ana tjetër Adnan Rrustemi, anëtar nga lëvizja Vetëvendosje.

Në shkresën e OSBE-së drejtuar KQZ-së propozohet që misioni të pranojë aplikacione dhe pako të kthyera të fletëvotimeve nga votuesit që jetojnë jashtë Kosovës dhe të shënojë datën e pranimit në formën e aplikacionit, gjithashtu edhe datën e pranimit të pakove të kthyera të fletëvotimeve.

Me gjithë vërjetjet, kërkesa si e tillë u dorëzua në departamentin për çështje ligjore. Dhe, ndryshe nga mbledhjet e kaluara të mbushura me tension, mbledhja e së premtes kaloi në një atmosferë më të mirë. Shkak për këtë ishin propozimet për logon, sloganin dhe kolonën zanore që do t’i identifikojë zgjedhjet lokale të tre nëntorit. Anëtarët e KQZ-së mbetën të pakënaqur me propozimet e kompanisë që ka fituar tenderin për këtë çështje.

Në debatin se po zgjedhin më të mirën nga tri të këqijat, KQZ-ja u përcaktua për sloganin “Zgjedh duke votuar”, si dhe për kolonën zanore numër pesë, për çka kontribuan edhe përfaqësuesit e mediave. Më i vështirë ishte vendimi për logon pasi të tre propozimet u vlerësuan si jo tërheqëse për votuesit.

Top Channel