Herën e fundit kur presidenti aktual i Kroacisë, Ivo Josipoviç kishte qenë në Kosovë ishte para 35 vitesh. Atëherë Kosova dhe Kroacia ishin pjesë e ish-Federatës së Jugosllavisë. Por që nga ajo kohë në Ballkan ka ndryshuar shumçka dhe tashmë Kosova e Kroacia janë dy shtete të pavarura.

Mëngjesin e së premtes presidenti i shtetit të 28 anëtar të BE-së është pritur me nderime të larta shtetërore në Kosovë. Pas takimit me presidenten Atifete Jahjaga, ai i ka dhënë mbështetje dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur bindjen se në fund do të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Republika e Kroacisë përkrah negociatat mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Bisedimet e deritanishme janë shumë të mira dhe në fund duhet të bëhet normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dy shteteve. Në të ardhmen, marrëdhëniet mes dy shteteve do të jenë marrëdhënie të mira fqinjësore”, ka deklaruar Josipoviç.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Atifete Jahja ka kërkuar nga homologu kroat, që Kroacia të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha nismat dhe organizatat rajonale.

“Kosova në këtë mënyrë do të japë kontributin e plotë si subjekt i barabartë ndërkombëtar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe në bashkëpunimin bilateral dhe multilateral, që nxit komunikimin dhe përmirëson jetën dhe punën e qytetarëve, si dhe jep kontribut në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit”, ka deklaruar Jahjaga.

E pyetur në lidhje me një iniciativë qytetare serbe që ka aplikuar për çertifikim dhe regjistrim në KQZ me emrin “Serbia”, presidentja e Kosovës ka dhënë përgjigjen se është e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve se a dëshirojnë të dalin në zgjedhje me kandidatë të pavarur, iniciativë, parti apo koalicione, mirëpo sipas saj, kjo do të regjistrohet dhe proçedohet ashtu siç parashihet me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Gjatë takimit të tyre, Jahjaga dhe Josipoviç u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme dhe veçmas në ekonomi. Presidentja Jahjaga i ka premtuar atij përkushtimin se komuniteti kroat që jeton në Kosovë do të jetë komunitet kushtetues, ndërsa Josipoviç ka thënë se komunitetet janë urë lidhëse mes shteteve.

Josipoviç është takuar edhe me kryeministrin Hashim Thaçi, me të cilin ka biseduar për aktualitetin politik në Kosovë dhe rajon, si dhe me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Po gjatë së premtes, i shoqëruar nga Jahjaga, Josipoviç ka vizituar edhe komunitetin kroat në fshatin Janjevë.

Top Channel