“G20”, përballja Rusi-SHBA për Sirinë

06/09/2013 08:20

Drejtuesit e vendeve të G20-s mbeten të ndarë në qëndrimet e tyre mbi konfliktin sirian, ndërsa punimet e samitit që po mbahet në Shën Pjetërburg të Rusisë hyjnë këtë të premte në ditën e tyre të fundit.

Kryeministri i Italisë, Enrico Letta, konfirmoi për mediat se divergjencat u bënë edhe një herë më shumë evidente gjatë një darke pune mbrëmjen e së enjtes.

Një zëdhënës i Presidencës Ruse theksoi se “një sulm amerikan mbi Sirinë do të shtonte një tjetër gozhdë në arkivolin e ligjit ndërkombëtar”.

Ndërkohë, ambasadorja e SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara deklaroi se Rusia është duke mbajtur peng rezolutat, duke i bllokuar në mënyrë të përsëritur me të drejtën e vetos.

Ambasadorja Samantha Poëer shtoi se “Këshilli i Sigurimit nuk është më një rrugë e besueshme, për të vendosur përpara përgjegjësisë qeverinë e Sirinë për krimet e saj”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë fajësuar regjimin e al-Assad për sulmin kimik të 21 gushtit, në të cilin si rrjedhojë e bombardimit të periferisë së Damaskut me një gaz vdekjeprurës, me shumë gjasa sarin, të paktën 1 429 civilë humbën jetën.

Moska sfidon këtë qëndrim antagonist, duke i kërkuar Uashingtonit prova të qarta për këto krime, ndërsa ka shtuar se provat ruse mbështesin hipotezën që sulmi të jetë kryer prej kryengritësve.

Ndërkohë, lufta civile në Siri vazhdon e përgjakshme që prej dy vitesh e gjysmë.

Të paktën 100 mijë sirianë, më shumë se gjysma civilë kanë humbur jetën deri më tani në luftime, ndërsa mbi dy milionë janë shpërngulur në kampet e refugjatëve në vendet fqinje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA