Fokusi kryesor i takimit të së dielës mes kryeministrave Thaçi e Daçiç do të jenë sërish zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Kështu ka deklaruar në Bruksel, Maja Koçijançiç, zëdhënëse e ndërmjetësuesës së këtij dialogu, Catherine Ashton.

“Ashtu siç e kemi paralajmëruar, zonja Ashton të dielën do t’i takojë kryeministrat Thaçi dhe Daçiq për të 16-n herë. Ata do të vazhdojnë dialogun që është mbajtur në fund të muajit të tetë, që do të thotë se në atë takim do të diskutohet implementimi i marrëveshjes së prillit e fokusi kryesor do të jetë përgatitja e zgjedhjeve”, ka thënë Koçijançiç.

E cituar nga “REL”, zëdhënësja e shefes së Politikës së Jashtme megjithatë ka thënë se zgjedhjet nuk do të jenë e vetmja temë që do të diskutohet, ndërsa nuk ka dhënë asnjë detaj për ngecjen e dialogut rreth çështjeve të telekomit dhe energjisë.

“Unë ju thashë që zgjedhjet nuk janë e vetmja temë, ata do të flasin për implementimin e marrëveshjes së prillit dhe ju e dini që ai implementim është në proces e sipër”, ka thënë në fund Koçijançiç.

Top Channel