Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka shprehur brengosjen e saj mbi ngjarjet e fundit në Kosovë, që lidhen me mbajtjen e zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Në një komunikatë për shtyp, ky institucion e konsideron si të papranueshme tendencën e vazhdueshme të shtetit të Serbisë për devijimin e zgjidhjeve të ofruara në Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës.

Në komunikatën prej disa pikash, ASHAK kërkon nga institucionet e Kosovës që ta mbrojnë rendin kushtetues të vendit në tërë territorin dhe tërheq vërejtjen për qëndrimet e njëanshme të bashkësisë ndërkombëtare në bisedimet Serbi-Kosovë.

ASHAK kërkon prej bashkësisë ndërkombëtare që të heqë dorë nga presionet e vazhdueshme ndaj Kosovës për bërjen e kompromiseve të reja, përfshirë këtu edhe ato për çështjen e përdorimit të simboleve shtetërore, elemente këto që mund të dëmtojnë bazën e shtetit të Kosovës.

Gjithashtu, në deklaratë kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare që të mos përdorë standarde të dyfishta ndaj palëve në procesin e dialogut.

Top Channel