Afganistan, vritet autorja indiane

06/09/2013 04:40

Një autore indiane, e cila do të mbahet mend për arratisjen e saj dramatike nga talebanët duke u bërë një yll i filmave “Bollywood”, është qëlluar për vdekje nga militantët në Afganistan, bëri të ditur policia gjatë së enjtes.

Sushmita Banerjee, e njohur edhe si Sushmita Bandhopadhya, u vra jashtë shtëpisë së saj në provincën Paktika, sipas Dawlat Khan Zadran, shefi i policisë së provincës lindore.

Ai tha se kryengritës të dyshuar talebanë hynë në shtëpinë e saj gjatë natës së të mërkurës, i mbuluan sytë dhe e lidhën të shoqin, si dhe u larguan me Banerjee.

Trupi i saj u gjet të enjten, i hedhur jashtë një medreseje, apo shkolle fetare, në periferinë e qytetit Sharana, i cili është edhe kryeqytet i provincës Paktika. “Ajo kishte rreth 20 vrima plumbash në trupin e saj”, tha Zadran.

Banerjee u bë e njohur me librin e saj në vitin 1995, “Një grua bengaleze e Kabuliwala”. Ai tregon historinë e saj të martesës me dashuri dhe transferimit të saj në Afganistan në 1989, për të qëndruar pranë të shoqit. Në të përshkruhen jeta e saj në Afganistan, ngacmimet seksuale nga talebanët dhe rikthimin e saj eventual në Indi.

Ajo shkroi një artikull për revistën indiane “Outlook” në 1998, rreth jetës së saj në Afganistan, vend të cilin e përshkruante si tolerant deri në mësymjen e talebanëve në 1993.

Në 2003, libri i saj u bë një film “Bollywood”-i, me titull “Arratisja nga talebanët”, pasi filmat e kinematografisë indiane janë tepër popullore në Afganistan.

Banerjee, 49 vjeç, ishte rikthyer sërish në provincën Paktika për të jetuar me të shoqin, biznesmenin afgan, Jaanbaz Khan, tha policia. Ajo ishte një punonjëse shëndetësie, e cila ndihmonte gratë e zonës, pasi kishte mungesë të theksuar personeli profesionist shëndetësor të gjinisë femër.

Banerjee mund të jetë sulmuar për shumë arsye, përfshi edhe librin e saj, filmin, punën e saj në shëndetësi, apo edhe për faktin që ishte një grua indiane. Asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA