Siria, presidenti i BE-së: Zgjidhje diplomatike

05/09/2013 15:45

Ndërsa vendet kryesore të Europës janë të ndara mbi veprimet që duhet të ndërmarrin ndaj regjimit të al-Assad në Siri, presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy mbajti një qëndrim të qartë kundër një ndërhyrje të mundshme ushtarake.

I pranishëm në samitin e G-20, Van Rompuy mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp së bashku me presidentin e Komisionit Europian, Barroso, me të cilin theksoi se Brukseli përkrah një zgjidhje politike të krizës, nëpërmjet bisedimeve mes palëve ndërluftuese dhe komunitetit ndërkombëtar.

”Mbi Sirinë nuk ka asnjë alternativë për një zgjidhje ushtarake. Ekziston vetëm një zgjidhje politike”, deklaroi presidenti i BE-së.

Deklarata e Van Rompuy vjen në një moment kur tre superfuqitë kryesore europiane kanë secila nga një qëndrim të ndryshëm mbi mënyrën se si duhet të trajtohet kriza në zhvillim.

Qeveria britanike mbështet ndërhyrjen, por pas votës kundër të parlamentit, është e detyruar të braktisë planet për një ndërhyrje ushtarake përkrah SHBA-së dhe Francës.

Parisi është shprehur në përkrahje të ndërhyrjes, por ka saktësuar se nuk do të veprojë i vetëm, ndërsa Gjermania mbështet vazhdimin e bisedimeve diplomatike, teksa ka bërë të qartë që nuk do të mbështesë një fushatë ushtarake kundër regjimit të Bashar al-Assadit.

Top Channel