Siria, Papa i shkruan Putinit

05/09/2013 17:55

Papa Françesku i dërgoi një letër presidentit Vladimir Putin, një cilësinë e pritësit të samitit të G20-s, që po zhvillohet në Rusi.

Ati i Shenjtë i Vatikanit, në këtë letër drejtonte një “apel të ndjerë” ndaj liderve botërorë që janë mbledhur në Shën Pjetërburg, për të gjetur një zgjidhje për t’i dhënë fund masakrës në Siri, pa një veprim ushtarak që do të shkaktonte më shumë vuajtje.

Në apelin e tij për dialog, Françesku i kërkonte edhe superfuqive që të mos mbeten të ngurta në pozicionet e tyre, por të debatojnë për të gjetur zgjidhjen më të mirë për popullin sirian.

Ndërkohë, sipas të përditshmes argjentinase “El Clarin”, Papa ka telefonuar edhe Presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, por një informacion i tillë u përgënjeshtrua nga zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, at Lombardi.

”Nuk ka pasur kurrë një komunikim të Papës me Presidentin e Sirisë”, saktësoi Lombardi.

Në informacionin e të përditshmes, shkruhej gjithashtu se një përfaqësues i Françeskut është dërguar për të biseduar me presidentin Obama dhe për t’i kërkuar atij që të tërhiqet nga plani i agresionit ndaj Sirisë.

Top Channel