SHBA, avokati i “monstrës” akuzon autoritetet

05/09/2013 00:00

Avokati i Ariel Castro, personi që mbajti tre gra të mbyllura për vite
të tëra në shtëpinë e tij, ka deklaruar se klienti i tij duhet të ishte
mbajtur nën mbikëqyrje.

Reagimi ka ardhur pasi Castro, i etiketuar si “përbindëshi i Klivlendit”, i dha fund jetës duke u vetëvarur në qelinë e tij, një muaj pas dënimit.

“Ekziston ende detyrimi që të parandalojmë që të dënuarit të kryejnë vetëvrasje”, ka deklaruar avokati Craig Weintraub.

Castro mbajti tre gra të lidhura me zinxhirë në bodrumin e shtëpisë së tij në Klivlend për rreth një dekadë, deri në muajin maj. Ai i dhunonte ato vazhdimisht.

Gjatë procesit ai u hoq nga mbikëqyrja për shmangien e vetëvrasjes pasi autoritetet deklaruan se nuk kishte rrezik që ai t’i jepte fund jetës.

Më 26 korrik Castro u shpall fajtor për 900 akuza të ndryshme, pasi arriti një marrëveshje që e mbronte nga dënimi me vdekje. Ai u dënua më 1 gusht me burgim të përjetshëm, pa mundësi lirimi me kusht plus 1 mijë vite të tjera.

Më 3 shtator ai vari veten në një qeli izolimi në burgun Orient të Ohajos. Prokurori që e procesoi e cilësoi Castron si një “frikacak” për t’u përballur me “një pjesë të vogël” krahasuar me atë që u kishte bërë tre femrave.

Por avokati Weintraub deklaroi për gazetën e Klivlendit, “Plain Dealer”, se ai ishte ende një qënie njerëzore dhe kjo është ende një shoqëri e civilizuar.

Top Channel