Lazar Krstiç, ministri i ri serb i Financave, ka njoftuar një program
reformash që do të kenë si synim ripërtëritjen e stabilitetit ekonomik
të vendit dhe krijimin e një sistemi që të favorizojë një konkurrencë më
të fortë të Serbisë në tregje.

“Në këto reforma, që kanë si objektiv stabilitetin financiar, parimi i parë do të jetë krijimi i një sistemi që të lehtësojë konkurrencën në tregje, pa asnjë pengesë. Ndërsa i dyti do të jetë mbështetja e atyre që synojnë të konkurrojnë”, ka deklaruar Krstiç për gazetën “Danas”.

I konsideruar si një ekonomist brilant, Krstiç ka studiuar në Yale University dhe ka qenë këshilltar i kompanisë “McKinsey”. “Plani ynë përbëhet nga reforma për ruajtjen e stabilitetit afatgjatë dhe jo nga masa afatshkurtra”, ka thënë ai.

Anëtari i ri i kabinetit Daçiç ka njoftuar më tej një rinovim radikal të administratës së dikasterit të tij, që do të bazohet tek meritokracia dhe që do të përbëhet nga të rinj ekspertë, me eksperiencë në kompanitë e mëdha ndërkombëtare.

Top Channel