Në 16-vjetorin e vdekjes e 10-vjetorin e Lumturimit të Nënë Terezës, shënjtorja shqiptare është përkujtuar në një meshë solemne në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Mesha u kremtua nga i dërguari special i Papa Françeskut, Françesko Kanalini.

”Nënë Tereza dhe vepra e saj kanë dëshmuar shpresën dhe dashurinë me tërë qenien e saj. Atë e kanë kuptuar të gjithë dhe e kanë njohur dhe e kanë quajtur me emrin e ëmbël dhe të bukur Nënë. Themeli i veprave të nënës Terezës ishte Bibla. Nënë Tereza na ka mësuar të gjithëve se në jetë duhet të jemi të shenjtë”, ka deklaruar Kanalini.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur nderimet më të larta shtetërore dhe institucionale për jetën dhe veprën e Nënë Terezës dhe tha se ajo sakrifikoi vetveten, duke mos u bërë një nënë individuale, por duke u shndërruar në nënë të tërë njerëzimit.

”Civilizimi shqiptar do të mburret gjithmonë me emrin e Nënës Terezë. Ajo doli nga gjiri i një populli të lashtë, me kulturë, identitet dhe histori origjinale, të veçantë dhe të pandërprerë”, ka thënë Thaçi.

Më tej, kryeministri tha se:  “Nënë Tereza shkoi nga kjo botë pa e parë Kosovën e çliruar, pa e parë Shqipërinë si shtet anëtar të NATO-s, por me rëndësi është fakti sipas tij, se pjesët e atdheut të saj, sot janë pjesë e botës demokratike me synime të qarta euroatlantike”.

Top Channel