
Forumi Ekonomik Botëror vëren se ekonomia shqiptare po bëhet gjithmonë e
më pak konkurruese në arenën botërore dhe më pak e aftë për të ofruar
mirëqënie dhe zhvillim për qytetarët e saj.
Në raportin e fundit të konkurrueshmërisë globale, Shqipëria është renditur e 95 nga 140 ekonomi botërore duke rrëshqitur me 6 vende pas, krahasuar me një vit më parë. Që në fillim, në pjesën kur flet për Shqipërinë, raporti liston korrupsionin si faktorin më problematik që frenon biznesin në Shqipëri. Në vendin e dytë renditet vështirësia e ndërmarrjeve për të gjetur financime me interesa të ulët, ndërsa më poshtë listohen burokracia e Qeverisë dhe këtë vit për herë të parë edhe krimi i organizuar.
Por këto janë vetëm faktorët e klimës së biznesit. Raporti analizon mbi 140 tregues të tjerë, që nga institucionet e deri tek inovacioni dhe zhvillimi teknologjik që grupohen në 12 shtylla.
Shqipëria renditet mirë në fare pak prej tyre, ndërsa në pjesën më të madhe klasifikohet me vendet e botës së tretë. Raporti i konkurrueshmërisë globale është treguesi më i plotë që skanon gjendjen e një ekonomie. Përmes një numri të gjerë treguesish që prekin të gjitha fushat e zhvillimit ai mat se se sa nje vend eshte i afte te ofroje mundesi dhe shprese per mireqenie ekonomike per qytetaret dhe bizneset e tij.
Trendi i rënies që në 2010
Ilir Ciko, pedagog i lëndës ‘Mikroekeonomia e konkurrueshmërisë” dhe një nga njohësit më të mirë të raportit, thotë se përkeqësimi i gjendjes së ekonomisë shqiptare tashmë është një fenomen disavjeçar.
“Eshtë një trend që ka filluar që pas vitit 2010, që tregon një përkeqësim të vazhdueshëm të produktivitetit të ekonomisë shqiptare dhe për rrjedhojë edhe të mirëqënies të popullsisë shqiptare, që natyrshëm reflektohet në raportin e konkurrueshmërisë. Regresi vihet re në të gjitha shtyllat ku mbështetet raporti global i konkurrueshmërisë. Ky regres kundrejt vendeve të tjera të rajonit apo të botës është i gjithanshëm, nuk është vetëm në një fushë të caktuar”, thotë Ciko.
Sipas tij ky regres nuk është i rastësishëm, por lidhet me dështimin ose ngecjen e reformave pothuajse në të gjitha fushat e ekonomisë.
“E gjithë kjo ecuri negative lidhet me mungesën e reformave të duhura, sikurse edhe regresin në fusha të caktuara të reformave dhe është shembulli më i mirë që tregon që ti mund të jesh tepër i suksesshëm në drejtime të caktuara të reformimit të ekonomisë, si p.sh në rastin e Shqipërisë, regjistrimi i biznesit ende mbetet ndër vendet më të avancuara në botë, por nëse kjo nuk shoqërohet me një reformë të gjithanshme në të gjithë sektorët e ekonomisë, atëherë padyshim që kjo çon drejt dështimit”, thotë Ciko.
Për rastësi, këtë vit, publikimi i raportit koincidon me mbledhjen e fundit të Qeverisë pas tetë vitesh në pushtet.
“Ne me nivelin e sotshëm të produktivitetit të ekonomisë, praktikisht duke u nisur mbi treguesin e konkurrueshmërisë, kthehemi ekzakt aty ku ishim në vitin 2005”, shton Ciko.
Ngecja e reformave ekonomike gjatë viteve të fundit është evidentuar më parë edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare si Banka Botërore në raportin ‘Doing Business’ apo dhe Komisioni Europian.
Top Channel