Ligji për Amnistinë duhet të pastrohet nga Administrata e Kuvendit, sipas vërejtjeve që i janë bërë nga Gjykata Kushtetuese.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pak kohë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi për vendimet që ka marrë pas disa vendimeve të Kuvendit, që patën dalë si detyrim nga marrëveshja e 19 prillit me Serbinë.

Ligji për Amnistinë, sa i përket përmbajtjes është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me përjashtim të disa neneve të këtij ligji, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Bëhët fjalë për nenet, ku flitet për “asgjësimin apo dëmtimin e pasurisë”, “zjarrëvënien”, “moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të veprave penale”, dhe për “falsifikim të dokumenteve”.

I pyetur nëse qëndron prapa krijimit të iniciativave qytetare, në komunën e Malishevës dhe të Drenasit, nga njerëz të shkëputur nga PDK, Krasniqi ka thënë se mbështet ato nisma, që kanë për qëllim përmirësimin e qeverisjes.

Kryeparlamentari Krasniqi nuk ka dashur të komentojë rreth iniciativës qytetare “Serbia”, e cila do të garojë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, për të cilën është raportuar në media se ka mbështetje nga Beogradi. Ai ka thënë vetëm se pyetjet për këtë duhet adresuar te delegacioni, që ka udhëhequr bisedimet me Serbinë.

Këto komente, Krasniqi i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e Grupeve Parlamentare, ku u vendos që seanca e parë për sesionin e vjeshtës të mbahet më 12 shtator.

Top Channel