Duke shënuar një ndryshim të mprehtë nga paraardhësi i tij, i cili mohonte Holokaustin, presidenti i ri i Iranit, Hassan Rouhani, i uroi të mërkurën “të gjithe hebrenjve” një “Vit të Ri të mbarë hebraik”, përmes profilit të tij në Twitter, në gjuhën angleze.
“Rosh Hashanah” nënkupton festimin hebraik të Vitit të Ri, i cili nis me rënien e natës së 4 shtatorit e vazhdon deri më 6 shtator. Imazhi i shkëputur nga profili i tij raportohet të jetë marrë nga një sinagogë në Teheran.
Rouhani, një klerik i muslimanëve shiitë, u zgjodh president i Iranit në qershor. Ai shihet gjerësisht si një drejtues më i moderuar se sa Ahmadinejad, ndonëse xhesti i tij i vullnetit të mirë, i së mërkurës, ka habitur edhe shikuesit veteranë iranianë.
“As kur kemi qenë monarki nuk kujtojmë një mesazh të tillë”, tha Haleh Esfandiari, një iranian i lindur dhe drejtues i programit të Lindjes së Mesme në Qendrën Ndërkombëtare “Woodrow Wilson”, për “Al-Monitor”.
Më pak se 10 mijë hebrenj janë ende në Iran, sipas “JTA”-së, shërbimi informativ hebre, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh hebre në Lindjen e Mesme, përtej kufijve të Izraelit.
Ahmadinejad nuk ishte as teknologjik, por as pluralist sa ç’është Rouhani, por në disa raste të pakta, ai jepte deklarata pozitive kur bëhej fjalë për Krishtlindjen apo “Rosh Hashanah”.
Ish-presidenti iranian njihej gjerësisht për deklaratat e tij se Izraeli duhet të eliminohet dhe e konsideronte Holokaustin një mit. Zakonisht, Ahmadinejad paralajmëronte se ishte duke kritikuar “zionistët”, jo të gjithë hebrenjtë.
Minoritetet fetare nuk janë tërësisht të lira të marrin pjesë në qeverinë iraniane dhe shpesh herë përballen me diskriminim, por hebrenjtë dhe të krishterët, në pjesën më të madhe, lejohen të jetojnë dhe të punojnë pa kufizime në Iran.
Ashtu siç thotë edhe eksperti i politikës së jashtme të “Washington Post”, Max Fisher, është e vështirë të nxjerrësh këtë mesazh në Twitter jashtë kontekstit të politikave izraelito-iraniane.
“Nuk përbën ekzaktësisht një deklaratë të njëanshme paqeje. Me shumë mundësi, nesër Irani do të vazhdojë të mbështesë Hezbollahun, por mbetet sërish një tjetër përpjekje e heshtur e Rouhani-t për të zbutur në mënyrë dramatike politikën e jashtme iraniane dhe retorikat acaruese”, shkruan Fisher.
Top Channel