
Është ngjarja e vitit që pritet me aq shumë kërshëri dhe dëshirë nga artistët dhe kineastët. Protagonistët dhe prodhuesit e artit të shtatë janë bashkuar për të shijuar dhe vlerësuar reciprokisht krijimet në një festival dedikuar filmit, por jo vetëm.
Ka nisur në Pogradec edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë.
“Mua më pëlqen sepse nuk është një festival ku rrimë një ditë apo dy, por rrimë gjatë, shohim veprat, kemi kohë të diskutojmë dhe të planifikojmë punimet”, shprehet aktori dhe regjisori Enver Petrovci.
Është si një paradë shumëllojëshe e shumëkombëshe ky festival. Filma me metrazh të shkurtër dhe të gjatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Rumania dhe Turqia që shfaqen në harkun 5 ditor të mbajtur nga ky evenimet.
Aktorja Yllka Mujo na jep mendimet e veta: “Është shumë interesante të shohësh filmat e rinj të një brezi që përpiqet dhe që ka ëndrra. Ëndrra është ajo që krijon artin. Këto djem dhe vajza që organizojnë këtë festival kanë një ëndërr dhe kjo ëndërr e bën të bukur festivalin.”
Të vlerësosh çfarë konsiderohen si prodhimet më të mira kinematografike në harkun kohor të një viti për gjithë pellgun e Ballkanit është njëra anë. Por festivali ofron përtej kësaj.
Alfred Trebicka thekson: “Festivale të tilla të japin mundësinë të takohesh me kolegë shqiptarë dhe me kolegë nga Kosova.”
Ndërsa regjisori Ilir Harxhi nënvizon: “Është ngjarje që ndodh shumë rrallë në rrethet artistike. Jo vetëm ballafaqojmë arritjet, por edhe shkëmbejmë eksperienca, flitet për planet e së ardhmes, bëhen bilance…”
Aktori nga Kosova Cun Lajçi tregon: “Pashë filmin dokumentar për himnin dhe më pëlqeu shumë si realizim. Nuk kemi shumë mundësi që të shohim krijimet e kolegëve tanë, ndaj isha me fat që e pashë mbrëmë.”
Mes morisë së filmave të shfaqur në netët e para të festivalit, është pak e vështirë të mos u shpëtosh tundimeve për të dhënë vlerësime.
Aktori Alfred Trebicka jep pëlqimin e tij: “Veçoj filmin e Ujkan Hysajt, “Kolonat”, qoftë për temën, qoftë strukturën kinematografike.”
Gjithashtu, prej filmave të vlerësuar shumë në këtë festival ka qenë “Agnus Dei”, nga regjizori kosovar Agim Sopi.
“Si realizim mendoj se do të jetë surpriza e festivalit. Në një farë mënyre të krijon përshtypjen që nuk është krijim i joni sepse 70% e filmit është serbisht, por që është një realitet në një vend që quhet Kosovë”, deklaron Lajçi.
Dhe para se të mbërrijmë tek elementi kulinar, shija e pjesës së parë të festivalit ka lënë ndjesi të mirë tek pjesëmarrësit.
“Kishte prurje shumë të mira, filma që të bëjnë të mendosh edhe pse filmat me metrazh të shkurtër flasin për gjëra shumë të thella”, tha Yllka Mujo.
Kulinaria, dimensioni i dytë i shijes artistike të festivalit
Jo më kot Festivali i Filmit dhe Kuzhinës Ballkanike stacionohet sërish në Pogradec. Një qytet thellësisht i paqtë dhe frymëzues që duket se këtu më shumë se kudo mund të shijosh si duhet një krijim artistik dhe pas tij i vjen radha tryezës.
“Jam për herë të parë në festival, por edhe në Pogradec, një vend që i vjen era ujë. Edhe njerëzit janë të mirë sepse uji i zbut”, thotë Petrovci.
Ky festival ofron shije në dy dimensione të ndryshme, që tek e fundit i shërbejnë aq mirë reciprokisht shqisave.
“Të vijojë kështu sepse kanë krijuar një “festivalo-kuzhineri” që njerëzit kënaqen në të dy dimensionet”, shprehet Mujo.
Nuk ka një organizim klasik për të diskutuar filmat. Por, drekat me kuzhina të ndryshme ballkanike shtruar enkas për të ftuarit e festivalit janë një mundësi për të bërë bashkë gjithë arstitët rreth tryezës.
Trebicka sqaron: “Ka rëndësi ky festival në formatin e vet, por kulinaria e bën edhe më të këndshëm.”
Dreka e sotme është një kombinim i recetave turke dhe greke. Dy kultura kulinare që i rrinë shumë afër shijes së njëra-tjetrës duke pasur tradita të ngjashme në gatim.
Ema Andrea jep mendimin e saj për këtë festival: “Besoj se kjo është gjetja më e bukur e festivalit sepse ne ballkanasit ndajmë shumë më tryezën. Ushqimi është pjesë e kulturës. Ky festival sjell dimenisonin e dy shijeve.”
Top Channel