Ekzekutimi i ushtarëve të Assad-it

05/09/2013 23:50

Shtatë burra të ulur mbi gjunjë, me fytyrë drejt tokës, ndërsa mbi ta shtatë persona të armatosur.

Video është publikuar nga gazeta amerikane “New York Times”, i përket muajit prill, ndërsa vendndodhja, Idlib. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtatë pjesëtarëve të ushtrisë siriane, besnike të Bashar al-Assad-it, nga një grup kryengritësish.

Titulli i prestigjiozes amerikane është: “Brutaliteti i kryengritësve sirianë vë në dilemë Perëndimin”.

Pesë prej ushtarëve – shkruan “New York Times” – ishin lidhur, ndërsa mbi shpinën e tyre shihen shenja. Fytyra e tyre thuajse mbështetej mbi tokë, ndërsa komandanti i kryengritësve recitonte një poezi revolucionare: “Për 50 vjet, ata janë miqtë e korrupsionit. I betohemi Zotit të Fronit, se ky është betimi ynë. Ne do të hakmerremi”.

Në momentin kur kjo përfundon, komandanti Abdul Sama Isa, 37 vjeç, i njohur në Sirinë Veriore si “Daja”, qëlloi në kokë njërin prej robërve, më pas njerëzit e tij ekzekutuan të tjerët. Më pas, të gjithë ata varrosen në një varr të përbashkët.

Isa drejton një grup prej 300 luftëtarësh, që njihet si “Xhund Al Sham”, që ndan me tre grupe ndërkombëtare, por lidhja me ta mbetet e paqartë. Siç shkruan gazeta, Isa u ka premtuar luftëtarëve të tij “shfarosjen e pakicës alauite”, së cilës i përket edhe Bashar al-Assad, të cilin e fajëson për zhdukjen e të atit në 1982 dhe brengën e Sirisë.

Ish-ndihmësi i tij, që bëri publike videon, nuk është bërë i njohur për arsye sigurie.

Në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen të grumbullojnë mbështetje për të vepruar ushtarakisht në Siri, kjo video e regjistruar në prill shton provat – siç shkruan “New York Times” – të një mjedisi kriminal të populluar nga bandat, pengmarrësit dhe vrasësit.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, foli për 70 mijë apo 100 mijë kundërshtarë të regjimit dhe 15-20% e tyre – siç tha – janë ekstremistë.

Top Channel