Britania provon përdorimin e sarinit në Siri

05/09/2013 21:00

Shkencëtarët ushtarakë britanikë konfirmuan gjetjen e gjurmëve të gazit sarin në rrobat dhe kampionët e dheut të marë pranë lagjes së Damaskut, ku u verifikua sulmi kimik në datën 21 gusht.

Këtë informacion e konfirmoi të enjten vetë kryeministri i Britanisë, David Cameron.

Për momentin, mungon ende raporti i inspektorëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ndodhen në Siri për të hetuar pretendimet e përdorimit të këtyre armëve të shkatërrimit në masë.

Megjithatë, ky konfirmim i Londrës zyrtare shndërrohet në deklaratën më specifike, referuar provave shkencore në hetimet mbi përdorimin e lëndëve kimike dhe natyrën e këtij sulmi.

Më përpara, Shtetet e Bashkuara kishin cituar burimet e tyre në terren, në raportimin e mbi 1 400 viktimave, 426 prej të cilëve fëmijë, si rrjedhojë e sulmit kimik për të cilin Uashingtoni fajëson shprehimisht regjimin e Bashar al-Assad.

Top Channel