Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, refuzoi një kërkesë nga diplomatët rusë, të cilët shpresonin të lobonin drejtpërdrejt në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të ndalur nismën e presidentit Barack Obama për sulme ushtarake në Siri.
“Folësi i Dhomës refuzoi një kërkesë të Ambasadës ruse, që ftonte atë të takohej me një delegacion të tyrin”, tha zëdhënësi i Boehner, Michael Steel.
Një zëdhënës i Ambasadës ruse në Washington tha për CNN, të mërkurën, se diplomatët dërguan një kërkesë zyrtare drejt liderit të Kongresit, për t’u takuar me të në “Capitol Hill”.
“Jemi duke planifikuar vizitën, – tha zëdhënësi i ambasadës për CNN. – Por, nuk mund t’iu themi kohën e saktë, gjithsesi bëhet fjalë për javën e ardhshme”. Ndërkohë, në Moskë është ende duke u diskutuar se cilët do të jenë ekzaktësisht pjesë e këtij delegacioni.
Zëdhënësi i ambasadës tha se vetëm parametrat e përgjithshme janë fiksuar deri më tani, ku përfshihet fakti që në të do të bëjnë pjesë anëtarë të të dy dhomave, e lartë dhe e ulët, të parlamentit të Rusisë, dhe se ata synojnë të takohen me senatorët dhe anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve nga të dyja partitë politike.
Rusia, një aleat i Sirisë dhe një partner tregtar i rëndësishëm, është e lidhur ngushtë me qeverinë e Assad dhe liderët në Moskë kanë kundërshtuar ashpër ndërhyrjen ushtarake të amerikanëve në konfliktin e Sirisë.
Ende është e paqartë, se si do t’i përgjigjen kësaj kërkese liderët e tjerë të Kongresit, veç Boehner, por delegacioni mund të përballet me një pritje të ftohtë, nëse mbërrijnë në “Capitol Hill”.
“Në këtë moment kyç, ajo që kam kuptuar është se marrëdhëniet mes anëtarëve të Kongresit dhe parlamentit rus janë shumë të krisura”, tha Dick Lugar, ish-kreu i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme në Senat, si dhe i njohur për bashkëpunimin e tij me zyrtarët rusë.
“Nuk mendoj se ndonjë delegacion nga Rusia do të bëjë diferencime, sa i përket votimit në Kongres, – shtoi ai. – Por, në të njëjtën kohë, ekziston mundësia, që dialogu të çojë në disa gjëra të tjera pozitive”.
Kur u njoftua në lidhje me kërkesën, një ndihmës i liderëve të Dhomës së Përfaqësuesve u shfaq më pak se i gatshëm për bashkëpunim, duke u përgjigjur ironikisht: “Paçin fat!”.
Top Channel