Një “black-out” energjie elektrike ka lënë gati 70% të Venezuelës pa elektricitet, përfshi pjesën më të madhe të kryeqytetit Karakas.
Mijëra punëtorë janë dërguar në shtëpi. Energjia është rikthyer pak nga pak në disa zona, pas shkëputjes.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, fajësoi opozitën për “sabotazh” të linjave të transmetimit të energjisë.
“Gjithçka tregon se e djathta ekstreme ka rifilluar planin për një ‘black-out’ energjie kundër vendit”, tha ai përmes profilit të tij në Twitter. Por, kritikët e tij thonë se menaxhimi i dobët dhe dështimi për të investuar në infrastrukturë janë shkaqet e mbetjes së vendit pa energji elektrike.
Autoritetet thonë se po punojnë për rikthimin e elektricitetit dhe kryesisht do t’u japin prioritet transportit në Karakas.
Industria e naftës nuk është prekur nga shkëputja e energjisë, pasi rafineritë e naftës në Venezuelë marrin energji nga impiante të veçanta gjeneratorësh.
Në 2010-n, presidenti i ndarë nga jeta, Hugo Chavez, nënshkroi një dekret ku deklaronte “emergjencën elektrike”, në mënyrë që të ndihmonte qeverinë e tij të luftonte shkëputjet e energjisë.
Edhe pse Venezuela ka rezerva të mëdha nafte, ajo varet nga hidrocentralet në më shumë se 70% të furnizimit të vendit.
Top Channel