Tre persona, shtetas të Kosovës, do të përballen me akuzat për përfshirje në sulmin në mjediset ku stafi i revistës “Kosovo 2.0” kishte përgatitur një aktivitet me temë seksin.
Ngjarja ka ndodhur më 14 dhjetor 2012 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. SIpas një komunikate nga misioni EULEX, të pandehurit akuzohen për pesë vepra:
shkelje të statusit të barazisë të banorëve të Kosovës, parandalim apo pengim të tubimit publik, shkaktim të lëndimit të lehtë trupor, urrejtje, përçarje dhe dëmtim të pasurisë së paluajtshme.
Komunikata njofton gjithashtu se dy pikat e fundit të akuzës do të preken prej Ligjit për Amnistinë nëse ai hyn në fuqi i pandryshuar. Njëkohësisht, prokuroria e EULEX-it ka përfunduar edhe tre hetime të tjera në rastin “Kosovo 2.0”.
Dy raste kanë të bëjnë me fyerje, ndaj janë raste të natyrës civile. Viktimat e këtyre rasteve janë njoftuar rreth vendimit dhe atyre u janë dhënë informata rreth inicimit të proçedurës civile, nëse dëshirojnë.
Në një rast tjetër, hetimet nuk kanë çuar në identifikimin e autorëve të veprave penale. Hetimet për rastin “Kosovo 2.0” gjithësej përfshijnë shtatë raste të ndara, tre prej të cilave tani janë mbyllur.
Hetimet për të tjerat janë ende në vazhdim e sipër. Prokuroria iu bën ftesë qytetarëve të Kosovës që të japin informatat që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të tjerë.
Fotografitë e të dyshuarve për sulmin ndaj “Kosovo 2.0”, që ka ndodhur më 14 dhjetor të vitit të kaluar, mund të gjenden në faqen e internetit të Policisë së Kosovës.
Top Channel