Putin: Duam provat për Sirinë

04/09/2013 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi sërish Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kundër ndërhyrjes së njëanëshme në Siri.

Në një intervistë për mediat ruse, shefi i Kremlinit tha se një ndërhyrje e tillë do të ishte një agresion i mirëfilltë ndaj një vendi sovran. Ai bëri thirrje që të kërkohet mandati i Kombeve të Bashkuara për ndërhyrjen në Siri.

Por rezolutat e shtruara në Këshillin e Sigurimit marrin veton ruse dhe kineze duke bllokuar reagimin e përbashkët ndërkombëtar. Lidhur me këtë, presidenti rus nuk përjashtoi mundësinë e votës pro në KS nga ana e Moskës, por me një kusht.

“Ne nuk përjashtojmë mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të ndërhyrjes në Siri, por kjo vetëm nëse na paraqiten prova bindëse, përtej çdo dyshimi që presidenti Bashar al-Assad ka përdorur armët kimike”, tha ai.

“Provat, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”

Inteligjenca amerikane provon “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm” se qeveria e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, qëndron pas sulmeve me gaz vdekjeprurës në gusht, në periferitë e Damaskut, tha Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, përpara një komiteti të Senatit, gjatë së martës.

Kerry, Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel dhe Gjeneral Martin Dempsey, kreu i Shefave të përgjithshëm të Shtabit, u shfaqën përpara komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme në Senat, teksa administrata e Obamës po lobon për të siguruar autorizimn e Kongresit për veprime ushtarake kundër Sirisë.

Që në fillim, Kerry adresoi hijen e pretendimeve të ofruara gjatë përgatitjeve për ndërhyrjen e 2003-shit në Irak, duke siguruar anëtarët e komitetit se lidhja nga inteligjenca amerikane e sulmeve të 21 gushtit me forcat e qeverisë siriane ishte e besueshme dhe solide.

“Jemi shumë të ndërgjegjshëm, Chuck dhe unë, që të mos i kërkojmë kurrë më ndonjë anëtari të Kongresit të votojë mbi raporte të pabazuara të inteligjencës”, tha Kerry, i cili ashtu si dhe Hagel, votoi si një senator për autorizimin e mësymjes ndaj Irakut. “Kjo është arsyeja, pse komuniteti ynë i inteligjencës ka hetuar dhe rihetuar provat. Kemi një sasi të paprecedent informacionesh të deklasifikuara, ndaj dhe i kërkojmë popullit amerikan dhe pjesës tjetër të botës, të gjykojnë këtë informacion”.

Këtë herë, Kerry tha se “vetëm dëshira me paramendim për të shmangur realitetin” mund të mohojë përdorimin e gazit vdekjeprurës në sulmin e 21 gushtit, dhe se “regjimi i Assad-it e ka kryer atë sulm”. Kerry shtoi se presidenti Barack Obama nuk po kërkon që Shtetet e Bashkuara të përfshihen në luftë, por vetëm “të degraduar dhe penguar aftësitë e Bashar al-Assad-it të përdorë në vijim armët kimike”.

Seanca dëgjimore u ndërpre për pak kohë nga një anëtare e grupit kundër luftës, Code Pink, e cila bërtiti se “populli amerikan nuk kërkon veprimin e SHBA-ve”, teksa u nxorr më pas nga policia nga ambienti i mbledhjes.

Kerry, fillimisht u bë i famshëm dekada më parë, si një ish-oficer i Marinës, i cili dëshmoi kundër luftës në Vietnam përpara të njëjtit komitet. Ai u përgjigj ndaj protestave se “Kongresi do të vazhdojë të përfaqësojë popullin amerikan dhe se ai mendon që të gjithë duhet të respektojnë të tjerët, që kanë një tjetër këndvështrim mbi këtë situatë”.

Ai tha se administrata nuk ka aspak ndërmend të dërgojë trupa ushtarakë amerikanë në Siri “në lidhje me luftën civile”. Por, ai kundërshtoi çdo përpjekje për të ndaluar dërgimin e forcave tokësore, në rezolutën autorizuese për veprime ushtarake të Kongresit, duke lënë të hapur mundësinë që ushtarët amerikanë të mund të konfiskojnë armët kimike “në rast të shpërbërjes së Sirisë”, ose nëse grupet ekstremiste do të jenë të gatshëm t’i rrëmbejnë ato.

Zyrtarët amerikanë thanë se sulmi i 21 gushtit la mbi 1400 të vdekur. Obama u shpreh gjatë së martës se më shumë se 400 prej tyre ishin fëmijë. Siria mohon ekzistencën e trupave qeveritare pas këtyre sulmeve, duke argumentuar se ata ishin viktima të një sulmi kimik nga rebelët.

Ambasadori i Sirisë në OKB, Bashar al-Jaafari, tha për CNN se akuzat mbi përdorimin e armëve kimike nga qeveria e tij “janë të rreme dhe të pabazuara”. Al-Assad tha për gazetën franceze “Le Figaro”, të hënën, se një sulm mbi vendin e tij rrezikon një luftë rajonale.

Ndërkohë, inspektorët e armëve nga OKB janë duke analizuar mostrat e marra nga vendi i ngjarjes javën e kaluar, por rezultatet e tyre nuk pritet të përcaktojnë se cili është fajtor për përdorimin e tyre. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre thonë se rebelët nuk kanë aftësi dhe kapacitete për të kryer sulme me armë kimike në shkallë të gjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA