Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës i kundërpërgjigjet bllokadës së grurit nga qeveria Maqedonase.
Në një komunikatë për shtyp nga minisria njoftohet se ministrja Mimoza Kusari Lila ka marrë vendim për bllokimin e një sërë produkteve si: drithërat, miellin, niseshtenë, qumështin, produktet e pastiçerisë, ato të brumërave, zarzavatet, frutat dhe lloje të tjera bimësh, pijet, duhanin, etj.
Është viti i tretë me radhë që qeveria e Maqedonisë bllokon miellin dhe grurin e Kosovës, e cila është në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s. Përkundër premtimeve që një vendim i tillë do të shfuqizohet me datë 2 shtator, vendimi për grur mbeti ende i plotfuqishëm, ndërsa ai i miellit u shfuqizua sipas premtimeve të bëra më herët.
“Qeveria e Kosovës nuk mund të lejojë një bllokadë të tillë dhe si masë adekuate ndaj vendimit të tyre do të bllokohen produktet e lartpërmendura. Bllokada do të vlejë deri në shfuqizimin e vendimit të grurit nga pala Maqedonase”, thuhet në komunikatë.
Vendimi hyn në fuqi më datë 5 shtator. “Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e përkushtuar të mbrojë prodhuesit vendorë dhe do të veprojë në mënyrë aktive dhe reagim të menjëhershëm sa herë që padrejtësisht të ndalohet eksportimi i produkteve kosovare”, vijon komunikata.
Top Channel