Mansur: Qetësia po kthehet në Egjipt

04/09/2013 00:00

Adli Mansur, presidenti i përkohshëm i Egjiptit, tha se ligji i emergjencës që është në fuqi në vend duhet të anulohet së shpejti dhe se plani për kthimin e një qeverie civile pasi ushtria rrëzoi presidentin islamist Muhamed Morsi është duke u zbatuar.

Komentet e tij u transmetuan nga televizioni shtetëror egjiptian, pasi me mijëra mbështetës të Vëllazërisë Myslimane u dyndën në rrugët e Egjiptit për të kërkuar rikthimin e Morsit.

Qeveria e përkohshme egjiptiane i ka shtypur me dhunë protestat e Vëllazërisë dhe e ka akuzuar këtë organizatë për terrorizëm e po gjykon krerët e saj për nxitje të dhunës.

Mansur tha se qetësia dhe rendi po kthehen gradualisht në Egjipt e nëse gjithçka vazhdon kështu, gjendja e emergjencës do të anulohet në mes të shtatorit.

Mansur garantoi se nuk do të ketë kthim pas në kohën e policisë politike të ish-presidentit Hosni Mubarak dhe se ushtria është vetëm në shërbim të vendit e popullit.

Ndërkohë, bota po sheh me shqetësim zhvillimet në Egjipt pasi shumë njerëz dyshojnë se rrëzimi i Morsit nga pushteti është rikthim në regjimin diktatorial të Mubarakut, por me emra të rinj.

Top Channel