Bëhet zyrtare. Lidhja Demokratike e Kosovës kandidon kryetarin e saj Isa Mustafën për kryetar të Komunës së Prishtinës. Kështu, zoti Mustafa do të garojë për të fituar mandatin e tretë për të qeverisur kryeqytetin kosovar.

Në konferencën për shtyp të zyrtarizimit foli sekretari i përgjithsëm i partisë, Ismet Beqiri, i cili deklaroi se kandidimi i zotit Mustafa është një vendim unanim i kryesisë së LDK-së dhe degëve të saj. “Për LDK-në është nder që zoti Mustafa ta udhëheqë sërish në të ardhmen Prishtinën”, tha Beqiri.

Vetë Mustafa u deklarua në në rrjetin social Facebook. Nëpërmjet një postimi në profilin e tij, ai ka falenderuar miqtë për inkurajimin që edhe kësaj radhe të kandidohet për kryetar të Prishtinës.

“Unë besoj tek ju, besoj tek qytetarët tanë, në degët dhe në anëtarësinë e LDK-së. Fitorja e betejes për Prishtinën do të jetë një hap i parë për t’i fituar komunat e tjera dhe për t’i fituar zgjedhjet nacionale”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Por a ka hequr dorë kryetari i LDK-së Isa Mustafa nga posti i kryeministrit të Kosovës në rast të fitores së partisë së tij në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen vitin e ardhshëm? Kjo është një pyetje për të cilën zyrtarët e LDK-së përgjigjen me një dozë rezerve, por megjithatë të gjitha mundësitë mbeten të hapura.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së beson se fitorja e tretë për Isa Mustafën në Prishtinë garanton rezultate të reja, ndërkohë që shprehet i sigurtë se gjatë qeverisjes së LDK-së në kryeqytet janë përmbushur pritjet e kryeqytetasve.

“LDK asnjëherë nuk e ka pasur frikën e humbjes e as tani nuk e kemi. Kjo s’ka të bëjë me kurrfarë frike. Por ne i fitojmë zgjedhjet sepse jemi përgatitur, kemi punuar dhe kemi kandidatët më të mirë, në këtë rast edhe të Prishtinës dhe nuk është punë frikë por serioziteti”, nënvizoi Beqiri.

Rivalët kryesorë të Mustafës kësaj here do të jenë Agim Çeku nga PDK, Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje dhe Besnik Tahiri nga AAK. Prishtina konsiderohet si një nga bastionet kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilën nuk e ka lëshuar asnjëherë që nga paslufta.

Kandidatët e LDK-së madje i kanë fituar zgjedhjet gjithmonë që në raundin e parë. Edhe në këto zgjedhje zyrtarët e kësaj partie shprehen se nuk shohin rrezik nga kandidatët e partive të tjera, ndonëse vlerësojnë se gara për Prishtinën asnjëherë nuk ka qenë e lehtë.

AKR kandidon Korab Sejdiun
Mimoza Kusari Lila kandidate e kësaj partie në Gjakovë

Aleanca Kosova e Re kandidon Korab Sejdiun për kryetar të Komunës së Prishtinës. Në një konferencë për shtyp, kryetari i AKR Behxhet Pacolli prezantoi dhe kandidatët e AKR për Gjakovën, Prizrenin e Klinën.

Korab Sejdiu, i cili vjen prej Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka punuar si këshilltar për çështje juridike në presidencën e Kosovës, gjatë kohës kur president ishte Fatmir Sejdiu.

“Sot i prezantova dorëheqjen Isa Mustafës nga të gjitha funksionet”, u shpreh Korab Sejdiu, kandidat i AKR për Prishtinën.

36-vjeçari Korab Sejdiu, me profesion jurist, tha se interesi i tij për Prishtinën ishte i përbashkët me atë të kryetarit Pacolli, ndaj i bashkohet garës me një vizion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA