Hagel: Kufizim në kohë e fushëveprim

04/09/2013 02:00

Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel, tha se çdo sulm ushtarak “do të jetë i kufizuar në kohëzgjatje dhe fushëveprim” dhe se “nuk do të synojë zgjidhjen e luftës civile, prej 2 vitesh e gjysmë në Siri, me forcë”.

“Një zgjidhje politike e krijuar nga populli sirian është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund përfundimisht dhunës në Siri”, shtoi ai.

Por, Kerry tha se, nëse al-Assad arrin të kuptojë “se nuk mund t’i zgjidhë telashet e tij përmes përdorimit të gazeve apo armëve”, atëherë kjo do të mund të ndihmonte në risjelljen e bisedimeve në fokusin tonë.

Në anën tjetër, pa vepruar, “ne mund t’i ofrojmë atij kapacitetet për të përdorur këto lloj armësh ndaj pjesës tjetër të popullit të tij dhe me përmasa më të mëdha shkatërruese, sepse ne do të ndaleshim apo do të tërhiqeshim para tij”.

Më herët gjatë së martës, liderët e të dy partive në Dhomën e Përfaqësuesve dolën nga një takim në Shtëpinë e Bardhë, duke ofruar mbështetjen e tyre ndaj thirrjes së Obamës për sulmet amerikane.

Folësi i Dhomës, John Boehner, senator republikan i Ohio-s, tha për reporterët se përdorimi i gazit vdekjeprurës ishte “një akt barbar”, ndaj të cilit vetëm Shtetet e Bashkuara kanë aftësi t’i përgjigjen.

Liderja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, senatore demokrate e Kalifornisë, shtoi se Washington-i duhet t’i përgjigjet veprimeve “jashtë sjelljes së qytetëruar të njeriut”.

Por, në një deklaratë me shkrim pak orë më vonë, Boehner tha se është në dorën e Obamës “për ta qartësuar këtë çështje përpara popullit amerikan dhe përpara përfaqësuesve të zgjedhur prej tyre”, përfshi edhe sigurimin e mbështetjes nga anëtarët individualisht.

“Të gjitha votimet për autorizimi të përdorimit të forcës ushtarake janë vota për ndërgjegjen e anëtarëve, ndaj dhe kalimi do të kërkojë angazhim të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm nga Shtëpia e Bardhë”, tha Boehner.

Gjithsesi, asnjë votim nuk është caktuar përpara kthimit të Kongresit nga pushimet, të hënën e 9 shtatorit. Kerry mbrojti shtyrjen e vendimit të Obamës në kërkim të autorizimit të Kongresit, duke thënë se kjo lëvizje i jep kohë Shteteve të Bashkuara të sqarojnë çdo gjë, ndërkohë që edhe rrisin presionin ndaj al-Assad.
 
Ban Ki-moon: Jepini fund grindjeve në Këshillin e Sigurisë

Kombet e Bashkuara kanë thënë se më shumë se 100 mijë njerëz, përfshi civilë, janë vrarë në Siri, që prej fillimit të trazirave dhe degradimit të tyre në luftë civile më 2011-n.

Aktivistë të opozitës siriane raportuan 107 të vdekur të tjerë gjatë së hënës, shumica e të cilëve në Damask dhe periferitë e tij.

Shifrat e reja të OKB-së, gjatë së martës, tregojnë për impaktin tronditës, që lufta ka pasur mbi kombin sirian.

Numri i refugjatëve sirianë, që janë larguar nga vendi i tyre, është rritur në rreth 2 milionë, me një rritje prej afro 1,8 milionë gjatë 12 muajve të fundit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, nxiti anëtarët e Këshillit të Sigurisë të presin rezultatet e testimeve të mostrave të mbledhura nga inspektorët e OKB-së.

“Ne duhet të shmangim militarizimin e mëtejshëm të konfliktit dhe të rigjallërojmë kërkimet për një zgjidhje politike”, tha Ban. “Marr parasysh këtu edhe argumentet për veprime parandaluese mbi përdorimin e mëtejshëm të armëve kimike. Në të njëjtën kohë, ne duhet të konsiderojmë edhe impaktin e masave ndëshkuese, në përpjekje për të shmangur gjakderdhje të mëtejshme, dhe të mundësojmë një zgjidhje politike të konfliktit. Rrëmuja në Siri dhe anembanë rajonit nuk i shërben askujt”.

Ai nxiti shtetet anëtare të punojnë së bashku në Këshillin e Sigurisë, ku aleatët e Sirisë – Rusia dhe Kina – priten të bllokojnë çdo thirrje për sulme ushtarake.

“Këshilli i Sigurisë ka një detyrë për të ecur përtej grindjeve të çastit dhe të tregojë lidership”, shtoi Ban. “Kjo është një çështje me shkallë më të gjerë se sa konflikti në Siri. Kjo ka të bëjë me përgjegjësinë tonë kolektive ndaj njerëzimit”.

I dërguari sirian në OKB, al-Jaafari, tha për CNN se të gjithë sirianët do të jenë viktima të “përkeqësimit të mundshëm të situatës”. “Ne nuk duam luftë. Duam një zgjidhje paqësore të konflikteve, bazuar mbi statutin e Kombeve të Bashkuara”, tha ai.

Top Channel