Një raport tronditës mbi ekonominë greke parlajmëron kohë të vështira për emigrantët e papunë shqiptarë në shtetin fqinj, por edhe familjet e tyre në Shqipëri që jetojnë me dërgesat.
Raport i hartuar nga sindikata më e madhe greke ka dalë në konkluzionin se Greqisë do t’i duhen të paktën 20 vjet që ta rikthejë normën e papunësisë në 10 për qind.
Sipas dokumentit, të publikuar pjesërisht nga e përditshmja e njohur “Kathimerini”, në vitin 2014 fuqia blerëse e grekëve do të jetë 50 për qind më e ulët se sa ishte në 2008-ën, përpara se vendi të zhytej në reçesionin shumëvjeçar.
Ndërkohë që më të goditurit janë ata që kanë si burim kryesor të të ardhurave pagat, të cilat në tre vitet e fundit janë ulur me 41 miliardë euro.
Greqia u shndërrua në vatrën europianë te krizës, pasojat e së cilës kanë qenë dramatike. Sipas vlerësimeve, prodhimi kombëtar grek aktualisht ka rënë në nivelet e vitit 1999, duke i fshirë Greqisë gati dy dekada zhvillim.
Pasojat e humnerës ekonomike të Greqisë kanë qenë të rënda edhe në ekonominë shqiptare. Dërgesat e emigrantëve, një nga burimet kryesore që kanë financuar konsumin e familjeve shqiptare, kanë rënë me 30 për qind krahasuar me pikun e tyre në vitin 2007, nga 952 milionë euro në 675 milionë vitin e kaluar.
Rënia e fortë e dërgesave është vlerësuar si një nga arsyet kryesore për tkurrjen e konsumit në vend, duke ngadalësuar ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare në nivelet më të ulëta historike.
Top Channel