Francë, presidenti gjerman kryen homazhe

04/09/2013 15:30

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, do të shndërrohet në drejtuesin e parë të vendit të tij që do të vizitojë qytezën e Oradour-sur-Glane në Francë, vendi ku 642 civilë u pushkatuan prej trupave pushtuese naziste në qershor 1944.

Presidenti Gauck u shpreh se priti ftesën e homologut Hollande me “mirënjohje dhe përultësi”.

Më shumë se 200 viktima ishin fëmijë, në atë që konsiderohet si një prej masakrave më të përbindshme të Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pas luftës, gjenerali dhe më pas presidenti Charles de Gaulle urdhëroi që fshati të mos rindërtohej, por të mbetej i paprekur, si një memorial i gjallë i krimeve të nazismit.

Për këtë arsye, fshati mbetet i paprekur, si në gjendjen në të cilën ai ishte kur ushtarët gjermanë grumbulluan të gjithë banorët e Oradourit, për t’i ekzekutuar pa përjashtim në sheshin e qytetit.

Në komunikatën në të cilën konfirmoi vizitën, Gauck theksoi se ndihej “krenar, për nderin e përfaqësimit të një Gjermanie krejtësisht të ndryshme, nga ai shtet që vazhdon të përndjekë kujtimet tona me krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Top Channel