Ambasada Amerikane në Prishtinë përshëndet vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për heqjen e stemës së Republikës së Kosovës dhe mbishkrimin Republika e Kosovës nga fletëvotimet e zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Qasja e KQZ-së në këtë rast shërben si bazament për zgjedhje gjithëpërfshirëse të cilat reflektojnë pjesëmarrjen e komuniteteve të cilat jetojnë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ambasada Amerikane vlerëson përkrahjen e udhëheqjes politike të Kosovës e cila, sipas Ambasadës ilustron mirëkuptimin që ata ndajnë, që zgjedhjet janë një mundësi historike për të unifikuar të gjitha komunitetet të cilat jetojnë në Kosovë.

Nga ana tjetër, qytetarët e Kosovës të cilët domodoshmërisht janë bërë pjesë e debatit kohëve të fundit lidhur me dizajnin e fletëvotimeve, tani me ndryshimet e bëra, kanë opinione të ndara. Për disa prej tyre vendimi i KQZ-së për heqjen e Republikës nga fletëvotimet është i padrejtë duke akuzuar Prishtinën zyrtare se ka rënë pre e kërkesave të palës serbe.

Të tjerë qytetarë i vlerësojnë deri diku si të pranueshme kompromisin për fletëvotimet pasi si i tillë ai gëzon përkrahjen e miqeve ndërkombëtar.

Të martën edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka përshëndetur vendimin e KQZ-së për heqjen e Republikës nga fletëvotimet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën vendosi për heqjen e stemës së Republikës dhe mbishkrimit Republika e Kosovës nga fletëvotimet e zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Top Channel