Ministria e Jashtme e Rusisë paralajmëroi të gjithë shtetasit për rrezikun që i kanoset nëse vizitojnë vende që kanë marrëveshje ekstradimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në deklaratën e saj, Moska paralajmëronte se vizita në këto vende mund të të bëjë të përfundosh në një burg amerikan, nëse Uashingtoni do të nxjerrë një mandat arresti, të justifikuar apo jo.
Në paralajmërimin e publikuar ditën e martë, ministria denonconte faktin se “disa shtetas rusë janë rrëmbyer dhe dërguar në SHBA, pa iu garantuar e drejta e një gjyqi të lirë dhe transparent”.
Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë kanë degraduar në nivelin më të ulët në shumë vjet, pas qëndrimit të vendosur që po mban presidenti Putin në mbështetje të regjimit të al-Assad në Siri dhe pas akordimit të strehimit politik për Edward Snowden, ish-punonjësit të CIA-s të kërkuar në vendin e tij për spiunazh.
Deklarata, e cila nuk i referohej çështjes Snoëden në asnjë moment, mbështeste arsyetimin e saj në “verdiktet e pajustifikuara” nga ana e Viktor Bout dhe Konstantin Yaroshenkos, të dy të burgosur pasi u ekstraduan në SHBA.
Bout u dënua me 25 vjet heqje lirie në prill 2012, pasi u shpall fajtor për akuzën e “komplotit për vrasjen e zyrtarëve dhe shtetasve amerikanë”, si pjestar i një rrjeti të supozuar të trafikimit të armëve.
Ai u ekstradua në SHBA prej Tajlandës.
Nga ana e tij, Yaroshenko, një pilot i avionëve të mallrave, u arrestua në Liberi mbi bazën e një mandati të kërkimit ndërkombëtar.
I ekstraduar në SHBA në vitin 2011, ai u dënua me 20 vjet heqje lirie për trafik ndërkombëtar droge.
Top Channel