Një projekt, që do të përdorë cianidin në minierat e arit dhe të argjendit ka ngritur mijëra rumunë të dalin nëpër protesta.
Miniera e planifikuar, pranë qytetit të vogël të Rosia Montana-s, do të ishte miniera me pusin më të madh të hapur në Europë. 4 gropat e saj parashikohen të jenë me një diametër më të madh se 8 km dhe do të ishte e dukshme edhe nga hapësira.
Qeveria aprovoi javën e kaluar një projekt-ligj, i cili do të lejonte projektin të avanconte më tej, nëse do të kalonte nga parlamenti. Projekti prej 7,5 miliardë dollarësh kontrollohet nga një kompani kanadeze, por qeveria rumune ka një përqindje të vogël aksionesh, ndaj dhe vendi pritet të fitojë rreth 75% të benefiteve nga miniera.
Pavarësisht shqetësimeve mjedisore, shumë vetë në qytet e mbështesin projektin, për shkak të vendeve të punës që do të hapeshin.
Ndërkohë, me mijëra kanë zbritur në marshime në rrugët e Bukureshtit. Kryeqyteti nuk ishte i vetmi që u pushtua nga protestat gjatë së dielës, pasi edhe në qytetin e dytë më të madh të Rumanisë, Kluzh, pati organizime të tilla.
Përdoruesit e mediave sociale theksuan rrezikun potencial ndaj mjedisit të shkaktuar nga ky projekt, si dhe korrupsionin e perceptuar politik.
Protesta të tjera u planifikuan për mbrëmjen e së hënës. Më shumë se 1400 përdorues të Facebook u janë përgjigjur planeve për demonstrata në sheshin e Universitetit të Bukureshtit.
Top Channel